12 shkurt 2010

Galiani: Pato dhe Nesta janë gati

Drejtuesi kuqezi ka bërë të ditur se dy lojtarët do të jenë që sot në dispozicion të Leonardos
Adriano Galiani për një moment ka dalë nga roli i drejtuesit dhe ka marrë atë të trajnerit. Ka qenë ai në fakt që ka bërë të ditur se Pato dhe Nesta janë gati dhe se me Udinezen do të jenë në fushën e lojës që nga minuta e parë. Pavarësisht se Leonardo ka preferuar ta shtyjë vendimin përfundimtar. “Janë mirë dhe duhet të luajnë, por varet nga vendimet që do të marrë Leonardo”, ka thënë drejtuesi, duke ia lënë fjalën e fundit brazilianit. Ndërkohë, tema e arbitrave është gjithmonë aktuale, por Galiani ka lëshuar një mesazh në favor të tyre. “Uniformitet në marrjen e vendimeve?
Nuk e di nëse egziston apo mungon. Jemi i vetmi vend në botë që merremi me këtë çështje. Ata bëjnë punën e tyre, gabojnë dhe marrin vendime të drejta. Besoj se është gjithnjë dhe më e vështirë të bësh punën e arbitrit”, ka thënë ai. “Nëse Milani është i kënaqur apo jo me punën e arbitrave? Atë që mendoj do ta them në mbledhjen e Lega-s. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të vazhduar përpara”. Në lidhje me takimin kundër Udienzes: “Ia kam thënë trajnerit tonë: kemi humbur dy ndeshje kundër tyre, duhet të mundohemi ta evitojmë që të mos ndodhë për herë të tretë”.
Përsa i takon mosgrumbullimit të Ronaldinjos nga Dunga: “Nuk është gjë negative për Milanin, ndoshta për lojtarin. Dunga ka bërë zgjedhjet e tij dhe Dinjo është aq i pjekur sa për të vazhduar përpara dhe për t’u paraqitur mirë, siç ka bërë deri tani. Ka gjithmonë një justifikim për çdo moment negativ të Dinjos. Më duket se flitet shumë për të. Shumë rrëmujë, shumë emisione dhe shumë komunikim”, ka thënë Galiani.