12 shkurt 2010

Kategoria Superiore ne GrandeJuve

Muka vesh tutat e trajnerit, Tafaj drejtor teknik

Dje, në analizën që është zhvilluar në “Skënder Halili”, ka pasur ndryshime në stafin bardheblu
Pas humbjes që pësuan të mërkurën në Kavajë me rezultatin 2-0 nga verdhezinjtë, dje, para se të niste seanca stërvitore, ka pasur edhe një analizë. Ajo është zhvilluar në ambientet e brendshme të kompleksit “Skënder Halili” dhe kanë marrë pjesë presidenti Refik Halili, shefi i klubit, Rauf Dimraj, Alban Tafaj, kapiteni Devi Muka, Astrit Nallbani, stafi mjekësor dhe të gjithë lojtarët.
Ka pasur debate dhe analiza ka zgjatur më pak se 30 minuta, ndërkohë që në të është folur për ecurinë e ekipit qysh nga fillimi i garës e deri më sot. Por dje janë bërë edhe ndryshimet më të fundit në stafin teknik të kryeqytetasve. Kështu, nga sa ka pohuar vetë edhe presidenti Halili, para se të largohej nga “Skënder Halili”, skuadra deri në fund të garës do të drejtohet nga kapiteni Devi Muka, i cili krahas rolit të trajnerit do të bëj edhe atë të lojtarit. Gjatë kësaj periudhe, në krah të tij do të qëndrojnë Astrit Nallbani, ndërkohë që Alban Tafaj tashmë do të rikthehet në postin që ka mbajtur para se të bëhej trajner, si drejtor teknik.
Por risia ka të bëjë me faktin se dje pasdite shefi i klubit bardheblu, Rauf Dimraj, së bashku me Mukën kanë drejtuar seancën stërvitore. Madje Dimraj, me eksperiencën e pasur që ka si përgatitës fizik, do të japë ndihmesën në ekipin e Tiranës deri në fund të sezonit.
Por, nga sa bën të ditur kapiteni Devi Muka, pavarësisht “bekimit” që ka marrë nga presidenti Halili për të drejtuar ekipin, ai duket se do ta mbajë këtë post derisa të gjendet një trajner tjetër. Siç pohon kapiteni i bardhebluve: “Kam ende për të dhënë në fushën e lojës, madje jam në formën time më të mirë. Do ta bëj këtë detyrë deri në gjetjen e një trajneri tjetër.”

Dinamo, nga “ndeshja” në stërvitje

Pas ndeshjes së anuluar në Peqin, skuadra blu është rikthyer në Tiranë për t’u stërvitur
Teksa i gjithë opinioni sportiv në Shqipëri ishte bërë gati për të ndjekur ndeshjen e spostuar të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, midis Shkumbinit dhe Dinamos, ky takim është shtyrë. Reshjet e shirave që shoqëruan vendin tonë gjatë këtyre ditëve ndikuan edhe në fushën sportive të Peqinit.
Pasi kanë kaluar natën në Durrës, blutë kanë udhëtuar gjatë paradites për në Peqin, të përgatitur për të zhvilluar ndeshjen e radhës, por sapo kanë marrë vesh anulimin e sfidës, stafi blu ka vendosur t’i drejtohet menjëherë kompleksit “Dinamo” në kryeqytet për të zhvilluar një seancë stërvitore, e cila është shoqëruar në punën me topin dhe një lojë mes grupit në gjysmëfushë.
Ditën e hënë do të jetë sfida e kampionatit midis Dinamos kryesuese dhe Besës së vendit të dytë. Dinamovitët duken të favorizuar në aspektin fizik, duke parë lodhjen në mesjavë të verdhezinjve të drejtuar nga Shpëtim Duro në përballjen me Tiranën. Pavarësisht thumbimeve të ndryshme nga rivalët, blutë kryeqytetas kërkojnë të qëndrojnë me “këmbë në tokë” dhe nuk rrëmbehen aspak në deklarata mediatike. I kontaktuar nga gazeta “Sporti shqiptar”, golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar të futbollit, Elis Bakaj, komenton anulimin e çerekfinales së kupës dhe sigurisht edhe ndeshjen e kampionatit përballë Besës.

Ndeshja e pezulluar

“E thashë edhe përpara orarit të kësaj sfide se, duke parë kohën, në atë fushë vetëm futboll nuk do të luhej. Por më mirë që nuk e zhvilluam atë sfidë. Do të ishte anti-futboll nëse do të luanim në atë fushë sportive. Edhe pse ishim përgatitur për të luajtur një ndeshje të rëndësishme, tani që e gjykojmë është më mirë që s’u zhvillua, pasi do të pësonim edhe dëmtime, sepse vetë ai terren nxit dëmtime midis futbollistëve,”- deklaron nr.19 i Dinamos.

Sfida me Besën

“Është një takim i rëndësishëm, por ne jemi me “këmbë në tokë” dhe nuk biem pre e thumbimeve të ndryshme. Dinamo është me meritë në vendin e parë dhe një nga pikat tona më të forta dhe pika kyça ka qenë pikërisht modestia. Edhe sikur të fitojmë me Besën, ne s’do ta quajmë kampionatin të fituar, por do të vazhdojmë rrugën tonë, ashtu siç e kemi nisur që në fillim, të qetë dhe pa u nxituar në asnjë moment. E respektojmë kundërshtarin, por ne do të luajmë për fitore, duke shfrytëzuar edhe momentin e mirë që po kalojmë.”

“Këpuca e Artë”

“E kam thënë edhe më parë, që ky trofe nuk është se më intereson edhe aq shumë. Parësore për mua është që të ngre në qiell titullin kampion, që do të jetë i pari në historinë e karrierës sime. Më pas, nëse “Këpucën e Artë” s’ma “vjedh” njëri (qesh në këto momente), atëherë le të bëhet imja. Unë kam për detyrë të jap maksimumin për Dinamon në të gjitha ndeshjet që do të mbaj veshur fanellën e saj,”- shprehet në diktofonin e “Sportit shqiptar” golashënuesi më i mirë i superiores me 11 gola, Elis Bakaj.

Gentian Muça, sot rikthehet te blutë

Mesfushori Gentian Muça, pas gjendjes së virozës që ka kaluar gjatë javës, tashmë duket se e ka hedhur gjithçka pas shpine dhe që nga dita e sotme do të jetë në stërvitje në kompleksin “Dinamo”. Ndërkohë në stërvitjen e djeshme të bluve për probleme të lehta shëndetësore ka qenë i pranishëm, por është stërvitur më pak se të tjerët, Elis Bakaj, ndërsa Bekim Kuli, për arsye familjare, ka udhëtuar drejt Kavajës dhe sot do të stërvitet me skuadrën.

Dinamo-Besa, luhet me projektorë

Sfida e së hënës, e vlefshme për javën e 21-të të kampionatit të 71-të kombëtar, midis Dinamos dhe Besës, do të zhvillohet nën efektin e projektorëve të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Ndeshja e shumëpritur nga opinioni sportiv në Shqipëri do të startojë në orën 17:00. Blutë kryesojnë kampionatin me 51 pikë, ndërkohë që Besa është në ndekje të saj, me 39 pikë. Edhe pse kampionati duket thuajse i mbyllur, pritet spektakël nga kjo përballje.

Laçi, 3 ditë “regjim kazerme” para Flamurtarit

Ndeshja me Flamurtarin, që do të luhet sot, në orën 14.00, në fushën sportive të qytetit të Laçit, është “kryefjalë” e ditës në kampin verdhezi. Tifozët kurbinas, që nga ata më “të çmendurit” dhe deri te të tjerët, më pak fanatikë, e kanë ndezur atmosferën me bisedimet e tyre, ku tashmë oreksi është shtuar.
Duke qenë se skuadra e tyre e zemrës e shikon veten në vendin e katërt në klasifikim, në “tavolinë” është hedhur edhe “ëndrra europiane”. Pavarësisht se nga drejtuesit e klubit dhe lojtarët bardhezinj kjo nuk del nga goja, pasi nuk ia lejojnë vetes të zhbalancohen e të përfshihen nga euforia.
Aq më tepër, para një ndeshjeje të tillë, si ajo me Flamurtarin, e cila konsiderohet e një rëndësie të veçantë. Si rezultat i këtij vlerësimi, skuadra e Laçit prej 3 ditësh është grumbulluar në Shëngjin, ku është akomoduar e po kalon edhe natën në një hotel atje, por edhe po stërvitet, larg entuziazmit që ka përfshirë tifozërinë kurbinase, e cila premton një numër rekord në ndeshjen e sotme.
Sepse një fitore kundër Flamurtarit, do të thotë shumë për Laçin, jo vetëm për t’iu larguar sa më shumë fundit të ftohtë të klasifikimit, por edhe për të parë lart. Presidenti Pashk Laska nuk i është ndarë skuadrës së tij, duke u plotësuar çdo kusht lojtarëve.

Skënderbeu merr “bekimin” e presidentit Zeqo

Sot, në Durrës, korçarët do të ketë një takim me presidentin Agim Zeqo, para ndeshjes me Vllazninë
Dita e sotme do të jetë dita e fundit e stërvitjeve të Skënderbeut në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Vllaznisë në Shkodër. Sipas stafit të trajnerëve të Skënderbeut, sot skuadra do të zhvillojë vetëm një seancë në orët e paradites dhe më pas do të udhëtojë menjëherë drejt Durrësit. Në hotel “Tropikal” në Durrës, aty rreth orës 15:00, është lënë edhe një takim me presidentin e ri të Skënderbeut, Agim Zeqo, i cili pas takimit që do të ketë me të gjithë lojtarët, do të drekojë së bashku me ta.
Ky takim me presidentin, mendohet që t’i motivojë edhe më shumë futbollistët për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë, ndërkohë që Skënderbeu me plot gojë mund të themi se sot do të marrë edhe “bekimin” e presidentit Zeqo. Për presidentin, kjo do të jetë ndeshja e parë në kampionat në krye të klubit juglindor, ashtu siç do të jetë ndeshja e parë edhe për trajnerin Josa dhe shumë lojtarë të tjerë të Skënderbeut.
Takimi me presidentin në Durrës mendohet të zgjasë disa orë dhe më pas skuadra kuqebardhë ka menduar të largohet drejt Shkodrës, atje ku do të kalojë edhe mbrëmjen e sotme për të qenë gati për ndeshjen e nesërme në “Loro Boriçi”.
Të gjithë në Korçë janë optimistë për këtë takim dhe, pavarësisht barazimit pa gola në ndeshjen e mesjavës në Korçë ndaj shkodranëve për kupë, ky takim vlen më shumë dhe ka vlerësim më të madh nga juglindorët. Sipas trajnerit të skuadrës korçare, Mirel Josa, Skënderbeu do të ketë vetëm një objektiv në këtë ndeshje, që të mos dalë pa pikë nga ky 90 minutësh.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe këtë e dimë. Sot (dje), duke parë edhe kushtet e vështira klimaterike në Korçë, zhvillova vetëm një seancë të vetme në pallatin e sportit dhe pa diskutim që do të ishte e mira që të zhvillonim stërvitje në fushë, por nuk na lejon koha. Ne do të udhëtojmë për të dhënë më të mirën dhe unë kam shumë besim te djemtë e mi.
Do të jetë një ndeshje ku do të luajmë ndryshe nga ajo e kupës, madje edhe vlerësimi është më i madh. Unë kam besim te çunat dhe më vjen mirë që edhe ata janë të motivuar për këtë transfertë. Unë jam i qartë që Vllaznia do të luajë ndryshe të shtunën, nga ndeshja e mesjavës për kupë, por edhe ne do t’i përgjigjemi me këtë cilësi,” ka deklaruar trajneri Mirel Josa.

Abdallah & Fetouh nisen nga Egjipti

Dy futbollistët egjiptianë, që ka kohë që flitet se do të mbërrijnë te Skënderbeu, më së fundi kanë lëshuar edhe sinjalin e tyre nga Egjipti, atje ku janë pajisur me viza dhe sot do të nisen drejt Shqipërisë. Ky është lajmi që dje ka dalë nga zyrtarët e klubit kuqebardhë, që këta dy futbollistë i kanë shtuar në listën e federimeve. I pari quhet Hossam Hassan Mohammed Abdallah dhe luan në sulm, ndërkohë që i dyti është mesfushor dhe quhet Ahmed Osama Fetouh.

Vendimet e komisionit të disiplinës

- Burreli, për hedhje të fishekzjarreve në fushë, dënohet me 100.000 lekë gjobë.
- Për ndeshjen e kategorisë së parë, Memaliaj Skrapari, duke qenë se nga relacionet dhe pamjet filmike nuk pasqyrohen qartë ngjarjet e ndodhura, është e nevojshme të thirren për t’u dëgjuar nga komisioni arbitrat dhe vëzhguesi i ndeshjes. Për këtë arsye shqyrtimi i kësaj çështjeje shtyhet për në mbledhjen e ardhshme.
- Ekipi U 19 i Skënderbeut, për mosparaqitje në ndeshjen me Naftëtarin, e humbet 2-0 në tavolinë.
- Zëvendëstrajneri i Laçit, Kastriot Rama, për ofendim të zyrtarëve të FSHF së, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim dhe 25.000 lekë gjobë.
- Kërkesa e lojtarit Marildo Lezi për zgjidhje të kontratës me Sopotin do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme, pasi të jenë të pranishme të dyja palët.

Ndreu: Me Apoloninë, “të dënuar” të fitojmë

Skuadra e Kastriotit do të presë në fushën e vet skuadrën rivale, Apoloninë, një ndeshje e cila parashikohet të jetë e fortë. Ndeshja e fazës së parë, e zhvilluar në Fier, është fituar me meritë nga skuadra krutane, e cila kërkon që edhe në ndeshjen e nesërme të jetë sërish fituese. Trajneri Ramazan Ndreu mendon që skuadra e tij i ka të gjitha kapacitetet e duhura për të dalë më tri pikë. Skuadra nga dita e martë ka vijuar normalisht përgatitjen e saj për ndeshjen e radhës kundër Apolonisë, ndërkohë që në seancën e ditës së mërkurë është zhvilluar edhe ndeshja e kontrollit.
Me skuadrën do të jetë që nga minuta e parë edhe kapiteni Ylli Shameti, por edhe Renaldo Kalari. Të dy këta futbollistë ishin të penalizuar me tre kartonë të verdhë, mungesa të cilat u ndjenë në ndeshjen ndaj Besës. “Përballë fierakëve jemi “të dënuar” të fitojmë, pasi çdo rezultat tjetër do ta komplikonte situatën për më tej. Shpresoj që futbollistët tanë të japin më të mirën e mundshme. Nuk kam dyshim që performanca e futbollistëve krutanë do të jetë në nivelin e duhur,” - do të shprehej trajneri krutan Ramazan Ndreu.

Çështja “Apolonia”, FSHF nis hetimet

Drejtuesit fierakë kanë bërë ankesë në FSHF, duke depozituar provat që kanë në dispozicion
Një tjetër ngjarje e rëndë për t’u zbardhur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Drejtuesit e Apolonisë ka depozituar prej dy ditësh ankesën me të gjitha provat për katër futbollistët e saj, që akuzohen për trukim ndeshjesh. Bëhet fjalë për Albert Kaçin, Erjon Hotin, Maringlen Shoshin dhe Elton Gramin. Ky ka qenë hapi i dytë i Apolonisë, pasi më parë ku klub ka bërë padi në Prokurorinë e Fierit. “Apolonia ka sjellë ankesën për trukimin e ndeshjeve, çështje kjo që do të merret seriozisht në shqyrtim nga FSHF.
Dy inspektorët tanë do të hetojnë për këtë ngjarje dhe pas mbledhjes dhe shqyrtimit të provave, do të merren masat e nevojshme.” Kjo është përgjigjja që merr nga drejtuesit e FSHF-së (sekretari i përgjithshëm Prodani apo nga Ilir Shulku i sektorit të garave). Por a është për të besuar te institucionet e federatës për të tilla çështje? Precedentët nuk e favorizojnë besimin te federata. Mjafton të kujtojmë ngjarjet që kanë ndodhur në fund të sezonit të kaluar, por edhe gjatë fazës së parë të 2009-2010-s.
Në verë, inspektorët e federatës u dërguan në Peqin për të hetuar mbi trukimin e mundshëm të ndeshjes Shkumbini-Bylis (rezultati 0-2 e kaloi Bylisin në “play-out”), por deri tani nuk është marrë asnjë masë. Kështu ndodhi edhe me akuzat e drejtuesve lushnjarë në dëm të ballshiotëve (këta të fundit u akuzaun se tentuan të blejnë ndeshjen), por përsëri inspektorët nuk nxorën gjë në dritë.
Vetëm pak ditë më parë po këta inspektorë u nisën drejt Shkodrës pas akuzave të fundit të presidentit Valter Fushaj për trukimin e Vllaznia-Laçi 1-2. Tani e ka radhën Apolonia. Precedentët e lartpërmendur japin pak shpresë që FSHF do t’i shkojë çështjes deri në fund. Futbolli shqiptar po kalon një periudhë të vështirë. Dhuna në stadiumet tona, por më shumë akuzat për trukim, kanë dhënë alarmin se duhet ndërhyrë.