Galiani është hedhur në sulm kundër Interit dhe Mourinjos. Në shënjestrën e drejtuesit kuqezi ka qenë heshtja për shtyp e vendosur nga klubi zikaltër pas ndeshjes me Sampdorian dhe gjesti i duarve të prangosura i bërë nga tekniku portugez: “Ne nuk kemi qëndruar asnjëherë në heshtje për shtyp, pavarësisht nga situatat që mund të jenë krijuar, - ka thënë numri dy i Milanit. - Në kampionatet profesioniste amerikane kjo është e ndaluar, madje edhe në Champions Ligë. Dhe Mourinjo duhet t’i japë fund disa gjesteve të caktuara. Janë veprime që mund të shkaktojnë dhunë.
Tani i duhet dhënë fund”. Galiani ka qenë i ashpër kundrejt Mourinjos dhe qëndrimit që ai ka mbajtur gjatë ndeshjes Inter-Sampdoria: “Qëndrimet e disa trajnerëve mund të shkaktojnë dhunë midis tifozëve, nuk mund të vazhdohet kështu. Duhet të ulim tonet, përndryshe gjërat mund të përkeqësohen”. Dhe në lidhje me heshtjen e Interit: “Më vjen keq për faktin se nuk kam arritur të ndaloj heshtjen për shtyp kur kam qenë president i Lega-s, - ka vazhduar drejtuesi kuqezi.
- Në sportin amerikan është e ndaluar, ashtu si në Champions Ligë. Në Itali nuk kam arritur ta ndaloj këtë. Heshtja për shtyp është një gjë që nuk ka kuptim, skuadrat e futbollit përfitojnë të ardhura nga të drejtat televizive në mënyrë direkte dhe në mënyrë indirekte nga shtypi i shkruar, që tërheq vëmendjen e tifozëve”.
Pas polemikave, Galiani ka folur për futbollin e luajtur: “Kampionati i rihapur? Do të ishte e rëndësishme për të gjithë, për shtypin e shkruar, por dhe për tifozët. Pesë pikë nuk janë shumë, ne jemi 7 pikë larg me një ndeshje për të rekuperuar, të shohim sa pikë mbrapa do të jemi të mërkurën në mbrëmje. Më e lehtë të arrihet Interi apo të përmbyset rezultati me Mançesterin? Nuk mund ta parashikoj të ardhmen”, ka përfunduar Galiani.