Fantazisti brazilian mendon akoma për kampionatin, por edhe tek kualifikimi në Champions Ligë
Momenti i mirë i Ronaldinjos po vazhdon dhe tani midis Milanit dhe Interit janë 7 pikë diferencë, me kuqezinjtë që kanë një ndeshje më pak, teksa jo gjithçka, do të varet nga transferta e nesërme në Firence. Kjo natë do të tregojë nëse Milani mund të rikthehet të ëndërrojë për titullin kampion.
Për të fituar kundër Fiorentinës do të duhet patjetër një Ronaldinjo si ai i parë në takimin kundër Barit. Nuk ka shënuar, por është njësoj sikur ta kishte bërë sepse lojtari që ka vendosur takimin ka qenë ai. Bilanci i sezonit të brazilianit është prej 12 pasimesh e gjysëm që kanë sjellë po aq gola: të 12-in ia ka dhuruar Borrielos në rastin e golit të parë dhe gjysma është aksioni personal që ka sjellë golin e Patos.
Në fundin e ndeshjes gëzimi i Dinjos ka qenë i përmbajtshëm, sikur të mos donte të humbte përqendrimin për t’u fokusuar tek sfida e radhës: “Duhet të mendojmë për ndeshjen e vështirë që na pret kundër Fiorentinës, - ka thënë Ronaldinjo. - Sigurisht tani jemi më afër Interit, por duhet të ruajmë ritmin tonë. Kundër Barit ka qenë një fitore e të gjithëve dhe nëse Milani fiton jemi të gjithë më të lumtur. Edhe Leonardo duhet të jetë i kënaqur për paraqitjen tonë dhe kjo gjë na bën ne lojtarëve të ndihemi mirë”.
Dinjo e di se tifozët e tij presin nga ai një arritje historike në Champions Ligë: “Nuk është akoma momenti për të menduar për Mançesterin, por përmbysja e rezultatit të takimit të parë është e mundur, sepse ne zhvillojmë një futboll sulmues që na lejon të krijojmë shumë raste dhe të shënojmë shumë”.
Në takimin e së dielës në mbrëmje kanë shënuar Marko Borrielo dhe Aleksandre Pato. Qendërsulmuesi, i rikthyer pasi kishte munguar në dy ndeshjet e fundit për shkak dëmtimi, nuk ka qenë në 100%, por ka ndihmuar skuadrën me lëvizjet e zakonshme në të gjithë fushën dhe ka pritur momentin e duhur për të dhënë goditjen e tij akrobatike të rahës.
Dhe Pato, që për pjesën më të madhe të ndeshjes nuk ka qenë protagonist, ka shënuar golin e sigurisë për Milanin. Pikërisht, kundër Mançesterit është ndier mungesa e Patos së vërtetë: në “Old Traford” do të jetë e nevojshme që “Patoku” të jetë në maksimumin e formës. Ndërkohë, Marko Borrielo ka folur në lidhje me kritikat e supozuara të Berluskonit ndaj Leonardos: “Ka qenë një moment i vështirë për të gjithë ne, është e kotë ta fshehim.
Për këtë arsye pas golit kam shkuar të përqafoj trajnerin, është një njeri i shkëlqyer”. Në fund në lidhje me titullin në kampionat: “Galiani nuk e përmend këtë fjalë, dhe nuk dua ta bëj as unë. Kombëtarja? Do të bëj gjithçka është e mundur për ta arritur këtë objektiv”, ka thënë sulmuesi kuqezi.