22 shkurt 2010

Futbolli Shqiptare ne GrandeJuve

Bizhdili-FSHF-së: Tirana-Besa për kupë të luhet me tifozë!

Presidenti Bizhdili kërkon faljen e tifozëve të Tiranës ndaj Besës
në takimin e kthimit në kupë
Barazimi i verdhezinjve ndaj Teutës nuk e ka irrituar aspak tifozërinë verdhezi, përkundrazi, ata shprehen mjaft të kënaqur me lojën që zhvilluan idhujt e tyre. Pavarësisht fatit, traversave, shtyllave, ajo që mbeti është afrimi i Tiranës tashmë me vetëm 5 pikë pranë Besës.
Problemi më i madh për Besën duket se nuk ka të bëjë me barazimin, por me humbjen e shërbimit nga disa futbollistë, ku Babamusta, Dragusha, Hoxha, ndoshta edhe Dhëmbi, mund t’i mungojnë trajnerit Duro për gjithë fazën e tretë.
Ndërsa mbyllet faza e dytë, Besa është në prag të sfidës së vështirë në kupë ndaj Tiranës, ku takimi i parë është fituar 2-0. Presidenti Bizhdili del me një risi: “Kjo ndeshje të luhet për tifozët. Pavarësisht çfarë ndodhi në takimin Dinamo Tirana, mendoj se më të penalizuarit mbeten tifozët bardheblu.
Unë i propozoj publikisht komisionit të apelit pranë FSHF-së t’i falë tifozët tiranas dhe pasnesër në Kupën e Shqipërisë stadiumi të jetë i mbushur me tifozë. Pak rëndësi ka nëse kualifikohet Besa apo Tirana, para faktit se do të luhet pa tifozë.
Fundja përse luhet futbolli? Si president i Besës, më intereson të luaj pa tifozë, por si njeri i futbollit, vlerësoj se u jemi shumë borxhlinj tifozëve tanë. Nga njëra anë, po bëjmë çmos të sjellim tifozërinë e munguar në stadiumet tona, nga ana tjetër i penalizojmë. Publikisht kërkoj faljen e tifozëve bardheblu, që sfida Tirana Besa të luhet me stadiumin plot.”
Një qëndrim ky mjaft korrekt dhe i çuditshëm i presidentit kavajas Nexhat Bizhdili. Sido që të jetë, ai ka bindjen se Besa e tij do të kualifikohet, por kërkon që ky kualifikim të arrihet para të dy tifozërive. “Nuk diskutohet që Besa ime kualifikohet, por do të më shijojnte më shumë një kualifikim para tifozëve të të dy ekipeve. Fundja, edhe tifozëritë kanë “luftën” e tyre dhe kjo është pjesë e spektaklit,” - ka thënë në fund presidenti Bizhdili.

Një “fund pa fund” i kampionatit absurd shqiptar

Mund ta quash pa frikë me termin “tokë e djegur” kampionatin e superligës. Dhuna nuk njeh kufi, kontestimet karshi vendimmarrjeve të gjyqtarëve kanë arritur kulmin në ndeshjen e javës së 22‑të, të luajtur në Vlorë, mes Flamurtarit dhe Kastriotit, teksa penalltisë së dytë të dhënë nga Sokol Jareci për vendasit i janë përgjigjur me braktisjen e fushës krutanët. Një fund pa fund i kësaj ndeshjeje, një tjetër alarm se futbolli ynë jo vetëm ka dalë nga “shinat”, por ka humbur tërësisht kontrollin. Çudirat e kampionatit tonë nuk kanë të sosur, aq sa, me të drejtë, mediat e huaja, duke iu referuar precedentit të ndeshjes Flamurtari‑Besa, ku gjyqtari ndryshoi 3 herë mendim brenda 10 minutash, i tregojnë si barceleta. Nuk mjafton balta në disa fusha, ku vetëm për futboll s’mund të bëhet fjalë, nuk mjafton mësymja e tifozëve në fushën e lojës, edhe pse të paqtë, si në derbin Tirana‑Dinamo, nuk mjaftuan grushtet dhe goditja barbare e anësorit të ndeshjes Gramozi‑Vllaznia, që të nxirren mësime nga aktorët e garës. Gjithçka, duke iu referuar kurbës në rritje të dhunës e kontestimeve në superligë, tregon se gara ka dalë jashtë kontrollit të federatës dhe strukturave përkatëse menaxhuese. Afrimi i fazës së tretë dhe pozicioni kritik i disa skuadrave me emër në fundin e klasifikimit, duket se ka vënë në pozitë të vështirë edhe gjyqtarët. Që në ndonjë rast, ndoshta të yshtur në mënyra nga më të ndryshmet, ndikojnë, madje vendosin fatin e lojës, në shumicën e rasteve në kurriz të të ashtuquajturve “ekipe të vogla”. Të tilla padrejtësi i kanë detyruar palët e prekura të kalojnë në vetëgjyqësi, nisur edhe nga fakti se nuk kemi ende një rast të bërë publik, kur një gjyqtar që ka gabuar të përjashtohet nga aktiviteti. Mëkatarët e këtij soji lihen pushim 2‑3 javë, kur moviolat konstatojnë gabimet e tyre me pasoja, sa qetësohen gjakrat, duke u hedhur sërish në “sulm”, për të bërë “shërbimin” e radhës. Derisa një skuadër, fjala vjen Kastrioti, duke gjykuar se padrejtësia e Jarecit kalon çdo cak, në rastin e dhënies së penalltisë së dytë për Flamurtarin, në minutat e para të kohës shtesë, braktis fushën. Duke i shtuar një tjetër precedent të rëndë futbollit tonë hallemadh, i sëmurë gjithandej, ç’është e vërteta, me gjithfarë lloj “sëmundjesh”. Një mbyllje më të shëmtuar të fazës së dytë të superligës nuk mund të kishte, sesa grushtat prej “Tajsoni” të një zyrtari të Gramozit ndaj anësorit Agaraj të shtunën, apo braktisjes së fushës së lojës nga krutanët në Vlorë, një ditë më pas. Për të mos folur pastaj për ndeshje të shtyra në Korçë, çka e bën të pamundur hedhjen e shortit të fazës së tretë. Zgjidhje alla shqiptare, sa për të kaluar radhën, mund të gjenden, si gjithmonë, që Skënderbeu të luajë dy ndeshjet e prapambetura, me Teutën dhe Shkumbinin, brenda javës në vijim, por a bëhet fjalë për cilësi e normalitet në kësi situate? A ia vlen të luhet një futboll i tillë, ku fushat janë kthyer sa në moçalishte, aq në arena boksi, ku gjyqtarët po e tundin bilbilin jo pak sipas interesave apo urdhërave të marrë nga kush e di se kush, ku duhet t’i themi “faleminderit Zotit”, që nuk ka vdekur akoma njeri? Grushtet në Ersekë ndaj anësorit, por edhe pasoja e kryesorit në Vlorë, braktisja e fushës nga Kastrioti, të bëjnë të thuash “mjaft”. Nëse strukturat drejtuese të FSHF‑së nuk janë në gjendje t’u thonë “mjaft” këtyre fenomeneve të turpshme, skandaloze dhe të paprecedent edhe në vendet e botës së tretë, jo më në mes të Europës, atëherë le t’i thotë më mirë “mjaft” kampionatit kombëtar, para se të na kushtojë jetë njerëzish. “Simptomat” janë vërtet të frikshme, të krahasueshme me ato të ndonjë “epidemie”…

Te Tirana, kritika edhe pas fitores me Lacin

Luan Sengla, i cili debutoi në pankinë me tri pikë, nuk është plotësisht i kënaqur me skuadrën
Luan Sengla, i cili në ndeshjen me Laçin debutoi zyrtarisht në pankinën e Tiranës, duket se nuk është fort i kënaqur me skuadrën, edhe pse arritën një fitore të çmuar, që u siguron atyre vendin e 3 të në renditje. “Lushku” duket se nuk e ka anashkaluar formën e dobët të skuadrës së tij, sidomos në pjesën e dytë të takimit me kurbinasit. “Që kur kam ardhur në këtë ekip, kam vërejtur dobësi në anën psikologjike, që vjen pas rezultateve negative që ka arritur Tirana më përpara.
Për të qenë realist, kjo skuadër ka ende probleme, pavarësisht se arritëm të fitonim me Laçin, një ekip simpatik, që na vuri në vështirësi në disa momente. Loja pati dy tablo, një pjesë të parë të mirë, ndërsa është e vërtetë që në pjesën e dytë ekipi pati lodhje, që u vu re qartë. Lojtarët duhet të reagojnë më shpejt, e kam fjalën për prapavijën dhe kur sulmojmë, në momentin që mbaron aksioni duhet të kthehemi mbrapa e të çlodhemi.
Gjithsesi, jam i bindur që këto probleme së shpejti do të riparohen,”- pohoi fillimisht Luan Sengla, i cili i bën thirrje skuadrës që të mos dorëzohet deri në fund të garës: “Normalisht që nuk duhet të kënaqemi, edhe pse kemi arritur një fitore me Laçin, thjesht kemi bërë detyrën që na takon dhe me këtë ritëm duhet të vazhdojmë deri në javën e fundit”.
Në fund Sengla flet edhe për ndeshjen me Besën, që do të zhvillojnë në mesjavë, të cilën e konsideron mjaft të vështirë: “Me këtë fitore punojmë më të qetë për sfidën me Besën për kupë. Për mendimin tim, kavajasit janë më të favorizuar edhe për shkak të rezultatit që kanë arritur në ndeshjen e parë në fushën e tyre, por me këto terrene ndeshja bëhet mjaft e vështirë për të dy ekipet. Jo vetëm kaq, por tri ndeshje në javë do t’i quaja mjaft të vështira për futbollin tonë.
Ne edhe pse kemi një kohë të shkurtër në dispozicion do të punojmë së bashku me Devi Mukën, duke bërë të gjitha lëvizjet e mundshme, në mënyrë që ditën e ndeshjes të japim maksimumin. Në qoftë se duam të kualifikohemi sërish, në fushë do të luajmë me tre sulmues,”- përfundoi deklaratën e tij Luan Sengla.

Moti i keq i lë pa stërvitje

Duke qenë se të mërkurën bardheblutë do të luajnë ndeshjen e kupës, stafi mendoi që dje, në orën 11:00, skuadra të zhvillonte një seancë të lehtë stërvitore nga Kodrat e Liqenit Artificial. Mirëpo breshëri dhe shiu që kanë rënë paraditen e djeshme në kryeqytet i kanë lënë pa stërvitje bardheblutë, të cilët sot pasdite në “Skënder Halili” do të fillojnë përgatitjet për ndeshjen me Besën.

Vllaznia, barazimi në Ersekë vlen më shumë se 1 pikë

Shkodranët janë barazuar me Kastriotin me pikë, duke qenë disi më të qetë për fazën e tretë
Pika e marrë në Ersekë i ka kënaqur kuqeblutë, jo sepse ajo ka shumë vlerë, por mbi të gjitha sepse tregoi që skuadra është në rrugë të mbarë. Barazimi me Gramozin është rezultati i katërt pozitiv radhazi për Vllazninë, pas fitores me Tiranën dhe Skënderbeun për kampionat dhe barazimin po me korçarët për kupë. Kjo tregon se skuadra është në rrugën e duhur dhe ndryshimet e epokës “Martini” kanë filluar të ndihen në skuadër.
Për nga mënyra si ka shkuar loja të shtunën, shkodranët kanë pretenduar edhe marrjen e tri pikëve, ngaqë kanë qenë të parët që kaluan në avantazh, madje në 45 minutat e para kanë pasur mundësi të shënojnë edhe gola të tjerë.
Vetë presidenti Fushaj, që ka qenë prezent në këtë ndeshje, jep këtë mendim: “Mbase rezultati 1 1 ka qenë më i drejti në fund të ndeshjes, por kemi pasur mundësi ta mbyllnim që në pjesën e parë, nëse do të shënonim edhe ndonjë gol tjetër. Nuk e bëmë këtë dhe sigurisht që një pengesë e madhe ka qenë edhe terreni në të cilin u zhvillua ndeshja.
E rëndësishme është që nuk humbëm, duke treguar se skuadra po rritet nga ndeshja në ndeshje.” Kjo pikë e marrë në Ersekë nuk është se ka rregulluar shumë gjëra, sepse Vllaznia ka mbetur përsëri në gjashtëshen e dytë të renditjes, çka do të thotë se shorti i fazës së tretë nuk do të jetë aspak i favorshëm për të. Megjithatë, rëndësi për drejtuesit e saj ka që ekipi po zhvillon lojëra të mira, të shoqëruara edhe me rezultate pozitive.
Por nëse drejtuesit kuqeblu janë të kënaqur me pikën e marrë në Ersekë, ata kanë dalë të zhgënjyer nga stadiumi i këtij qyteti. Dhuna e ushtruar ndaj gjyqtarit anësor, por edhe ndaj Lecit ka qenë e papranueshme. Këtë gjë thotë edhe presidenti Fushaj, që ka reaguar në lidhje me këto fenomen: “Të them të drejtën, kam mbetur i habitur nga ajo çfarë ndodhi. Me të mbaruar ndeshja, të gjithë futbollistët e Gramozit u vërsulën te gjyqtarët.
Përveçse u godit gjyqtari anësor, u godit edhe futbollisti ynë Leci, ndërkohë që problemet vazhduan edhe në dhomat e zhveshjes. Nuk kishte pse të ndodhnin gjëra të tilla. Në fushë gjithçka ka qenë korrekte dhe “fair play”, prandaj nuk ka pse të ketë akte të tilla dhune. Ne e dënojmë goditjen e futbollistit tonë, sepse ka qenë i papërfshirë në këtë incident të vendasve me gjyqtarët dhe federata duhet të reagojë për këtë gjë,” është shprehur numri një i klubit shkodran.

Leci: Nuk e kuptova pse më goditi Xhyra

Ka qenë njëri nga pjesëtarët e dhunuar nga vendasit në ndeshjen e së shtunës Gramozi Vllaznia dhe vetë ai nuk e kuptoi pse ndodhi kështu. Liridon Leci është goditur në fund të ndeshjes nga një futbollist kundërshtar krejt pa arsye, ndërsa ai po i drejtohej dhomave të zhveshjes. Vetë lojtari e shpjegon kështu këtë moment: “As vetë nuk e di çfarë patën me mua.
Futbollistët e Gramozit po shkonin drejt arbitrave për të protestuar pas mbarimit të ndeshjes, kur në një moment lojtari Xhyra më goditi me grusht. Ishte e habitshme për mua, sepse nuk isha protagonist në ato momente për asgjë. Një veprim që duhet dënuar jo se u godita unë, por sepse është e pafalshme të veprojë kështu një futbollist, duke dhunuar kundërshtarin apo dhe gjyqtarët

Nushi zverdhet në përballje me liderin

Reprezentuesi i Kosovës, Kristian Nushi, ka luajtur 90 minuta në humbjen (1:2) te skuadrës së St. Gallenit nga lideri i tabelës, Young Boysi, në ndeshjen e javës së 21-të të Superligës së Zvicrës në futboll. Nushi luajti mjaft mirë, por skuadra e tij hasi në lojë të fortë të rivalit. Nushi është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 52-të të këtij takimit mjaft interesant. Golat për skuadrën e liderit i ka shënuar futbollisti Regazzoni në minutën e 37-të dhe 65-të, ndërsa për St. Gallenin realizoi Merenda në minutën e 78-të të ndeshjes. Young Boysi i prin tabelës me 47 pikë, duke e lënë pas vetes skuadrën e Baselit që ka 43 pikë, ndërsa St. Galleni renditet i shtati me 26 pikë të tubuara.

Gashi 85 minuta dhe zverdhet

Sioni me Xamaxin luajtën baras 1:1. Shqiptari Shkëlzen Gashi luajti 85 minuta për Xamaxin dhe është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 79-të të takimit. Skuadra e Xamaxit mori një pikë me vlera nga ky udhëtim, që do të thotë shumë në vazhdim të kampionatit. Mpenza në minutën e tretë shënoi për vendasit, ndërsa Xamax barazoi në minutën e 56-të të pjesës së dytë me golin e futbollistit Rahman Dampha. Xamaxi më këtë pikë zë vendin e katërt me 28 pikë aq sa ka edhe Sioni i pesti.