18 shkurt 2010

Josip Kuzhe: Do të jem tifoz i flaktë i Kosovës

Josip Kuzhe, trajneri i Kombëtares kuqezi, nostalgjik në vizitën e tij të dytë në Prishtinë pas 22 vjetësh, nuk i fshehu emocionet e rastit, por vlerësoi gjithashtu edhe pritjen që iu bë delegacionit shqiptar në Kosovë. Trajneri kroat tha se në Prishtinë deklaroi që kishte ardhur për fitore edhe pse e lavdëroi dhe kualitetin e ekipit kosovar. “Ndihem i emocionuar që pas 22 vjetësh vizitoj Kosovën, nënvizoi Kuzhe në konferencën për shtyp pas ndeshjes së fituar 2-3 nga seleksioni i tij. Këtu kam kaluar çaste të mira kur isha si trajner, edhe si futbollist. Ndërsa në aspektin profesional, jam i lumtur që këtu erdha si trajneri i Shqipërisë, marrë parasysh edhe karakterin humanitar të ndeshjes”. Po ashtu, tekniku kroat i Shqipërisë lëshoi një deklaratë domethënëse në lidhje me simpatinë e tij për të ardhmen për futbollin kosovar, duke u deklaruar si një tifoz ultras i tyre në arenën ndërkombëtare. “Kur të zhvilloni ndeshje ndërkombëtare, unë do të jem tifoz i flaktë i Kosovës, theksoi Kuzhe. Më vjen mirë që tash e keni shtetin tuaj”. Tekniku kroat i falënderoi tifozët kosovarë që e përcjellin Kombëtaren shqiptare gjithmonë në Tiranë, për të cilët tha se gjithmonë e ngjallin atmosferën në stadium. “Praktikisht ata mbajnë gjallë atmosferën në stadium sa herë që luan Shqipëria. Dëshiroj t’i falënderoj me gjithë zemër, pasi janë një mbështetje shumë e madhe për Kombëtaren tonë”, bëri të ditur Kuzhe. Me këtë rast ai pati mundësinë të ndjekë nga afër disa elementë të rëndësishëm të Kombëtares kosovare, të cilët mund të jenë të vlefshëm për Shqipërinë, si mesfushori i Halmstadit, Anel Raskaj dhe mbrojtësi i Hysit, Fisnik Papuçi: “Më ranë në sy disa futbollistë, por më pëlqyen në veçanti numri 8 (Raskaj), por edhe lojtari me numër 5 (Papuçi). Në të ardhmen, mund t’i vëzhgoj edhe nga afër këta futbollistë, pse jo”..