19 shkurt 2010

Fiorentina në kor: Vjedhje dhe turp!

Klubi vjollcë akuzon UEFA-n për golin në pozicion jashtë loje në Champions. Dela Vale: Të merren masa
Çezare Prandeli është i inatosur për mënyrën si erdhi humbja e Fiorentinës së tij me Bajernin: “Të gjithë u bindën që goli i Kloses ishte për t’u anulluar për një pozicion jashtë loje. Ishte mjaft e lehtë ta shikoje. Tre episode vendosën ndeshjen: kartoni i kuq i Gobit që nuk ishte, goli i tyre i fitores dhe mungesa e kartonit të kuq ndaj Kloses pas një ndërhyrjeje të ashpër, - tha trajneri i Fiorentinës.
- Nuk e kam parë asnjëherë një gjë të tillë më parë. Megjithatë ne luajtëm shumë mirë, e luajtëm ndeshjen siç e kishim përgatitur. Në pushim djemtë ishin të demoralizuar pak, por u dhashë zemër dhe në pjesën e dytë luajtëm shumë mirë”. Për Prandelin akoma s’ka mbaruar: “Sigurisht, do të luajmë në Firence.
“UEFA të jetë shumë e kujdesshme kur dërgon në fushë gjyqtarë të tillë. Ky është Championsi, këto janë sakrificat e një klubi, sforcimet dhe djersa. Nuk mund të prishet gjithçka. Nëse një gjyqtar nuk është në lartësinë e duhur, është momenti që të tërhiqet”. Diego Dela Vale e kap me Platininë dhe drejtuesit e tjerë të UEFA-s pas humbjes me Bajernin e Mynihut që shënoi një gol jo të rregullt me Klosen: “Luajtëm një ndeshje të bukur pavarësisht nga një vijërojtës skandaloz, - përfundoi padroni vjollcë. - Tani i presim gjermanët në shtëpinë tonë”.
Lojtarët janë të inatosur, por optimistë”. Andrea Dela Vale nuk e duron padrejtësinë që iu bë Fiorentinës në humbjen 2-1 kundër Bajernit të Mynihut në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Championsit. Presidenti vjollcë shfryn pas golit të shënuar nga Klose në pozicion të qartë jashtë loje: “Një turp, - tha vëllai i vogël Dela Vale, - duket që ne italianët ndëshkohemi disi në Europë”. Dela Vale drejton gishtin: “Në tribunë ishte Platini, i cili tha se goli i Kloses ishte në pozicion jashtë loje një metër e gjysmë. Dhe pastaj kartoni i kuq i Gobit, ndëshkimi i Kloses.
Ishim një hap larg arritjes, me 11-të lojtarë kush e di si do të shkonte. Por durim, në ndeshjen e kthimit mjafton të fitojmë me një gol”.
Shumë hidhërim. Një gol pikërisht i Per Kroldrupit i dha zemër Fiorentinës, e cila u ndëshkua në fund nga goli i Kloses në pozicion jashtë loje. “Për fat të keq na shkoi kështu, bëmë gjithçka për të mos humbur dhe në fund na ndëshkoi një gol jo i drejtë, - tha danezi. - Pësuam një gol në pozicion jashtë loje. Por për ndeshjen e kthimit nuk jemi dorëzuar. Ne besojmë, e treguam këtë dhe do të luajmë”.