19 shkurt 2010

Bind Juvja, fiton Liverpuli, zhgënjen Valencia

Bardhezinjtë mundin Ajaksin, të kuqtë kalojnë Unirean. Nuk fiton asnjë nga katër skuadrat spanjolle…

Dje u luajtën ndeshjet e para për 1/16-t e finaleve të Ligës së Europës. Dy gola të shënuar me kokë nga sulmuesi brazilian Amauri i dhanë Juventusit fitoren 2-1 ndaj Ajaksit në Amsterdam. Juvja ka pasur një sezon shkatrrimtar deri tani, pasi është eliminuar nga Championsi dhe nga Kupa e Italisë, përveç se ka zbritur në vendin e gjashtë të Serisë A. Dje, trajneri i ri, Alberto Zakeroni, debutoi me bardhezinjtë në Kupat e Europës, pasi rreth 10 ditë më parë zëvendësoi Çiro Ferrarën.

AMAURI GOL - Juvja e gjeti veten në disavantazh pas vetëm 15 minutash lojë kur sulmuesi i Ajaksit, Miralem Sulejmani, fitoi duelin e shpejtësisë me Zebinanë dhe kaloi topin mes këmbëve të portieri Xhianluixhi Bufon, duke tundur rrjetën. Amauri barazoi për miqtë pas gjysmë ore lojë, duke shfrytëzuar krosimin e shkëlqyer të De Çeljes, i cili ishte shërbyer në mënyrë të mrekullueshme nga Alesandro Del Piero.

Në pjesën e dytë, kapiteni i Juves ndërtoi edhe golin e dytë për bardhezinjë, një kopje i të parit. Del Piero kroson, ndërsa Amauri shënon me kokë, duke fituar duelin ajror me mbrojtësit e Ajaksit. Fitorja e djeshme e bën Juventusin favorit për të kaluar në raundin tjetër, teksa ndeshjet e kthimit do të luhen të enjten e ardhshme.

ZAKERONI KENAQET - Pas ndeshjes, trajneri i Juves, Alberto Zakeroni, tha: “E kisha parashikuar që do të pësonin presionin e Ajaksit në minutat e para. Kundërshtari ynë është një ekip që bazon gjithçka te loja kolektive dhe harmonia. Kisha thënë se do të vuanim, por duhet të dinim të godisnim në momentin e duhur. Fatmirësisht e bëmë diçka të tillë.” Gjithsesi, italiani paralajmëron të besuarit e tij: “Kujdes, kualifikimi mbetet i hapur. Ata do të na hapin punë edhe në Torino. Amauri? Eshtë shumë i aftë kur i duhet të luajë me shpinë nga porta, por nuk gabon as kur i jepet mundësia të godasë. Nëse i vijnë krosimet e duhura, ai nuk e ka problem golin.”

TVENTE DHE BRYZH - Në ndeshjet e tjera të luajtura dje, Tvente fitoi 1-0 ndaj Verder Bremenit, finalist në edicionin e fundit të Kupës UEFA. Të besuarit e trajnerit Stiv Meklaren shënuan me anë të Teo Jensenit në fundin e pjesës së parë. Gjermanët dominuan në 45 minutat e dyta, por pa arritur të gjejnë golin e barazimit.

Ndërkohë, Volfsburgu, kampion i Gjermanisë, arriti të marrë një barazim me vlera 2-2 në fushën e Vilarealit. Vilareali shënoi i pari me anë të Senës, por “ujqërit” barazuan me Grafiten. Volfsburgu, që është 23 pikë larg mbrojtjes së “kurorës” në Bundesligë, gjeti edhe golin e dytë, shtatë minuta para fundit. Braziliani Grafite fitoi dhe shndërroi në gol një 11-metërsh.

Gjithsesi, Vilareali i mbetur me dhjetë futbollistë arriti të barazojë, dy minuta para fundit. Diku gjetkë, Klub Bryzh fitoi 1-0 ndaj Valencias, që e mbylli ndeshjen me dhjetë futbollistë. David Silva mori kartonin e dytë të verdhë brenda pjesës së parë, duke i lënë spanjollët me dhjetë futbollistë për rreth një orë lojë. Bryzhi përfitoi duke shënuar golin e fitores me anë të Dorxhe Kuemha në minutën e 56-të.

PERMBYSJA - Rubini, kampion i Rusisë, ishte ekipi që hodhi hapin më të sigurtë drejt 1/8-ave të Ligës së Europës. Në Kazan, ata fituan 3-0 ndaj izraelitëve, të Hapoel Tel Avivit, të cilët duket se e kanë të pamundur përmbysjen në ndeshjen e kthimit. Lila fitoi 2-1 ndaj Fenerbahçes, ndërsa Standardi bëri një kthesë, e cila lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit.

Në Liezh, belgët po humbisnin 2-0 ndaj Salzburgut, që kishte shënuar dy herë në pjesën e parë me “bomberin” Janko. Uistel ngushtoi diferencën me 11-metërsh, pastaj dy gola në dhjetë minutat e fundit nga Igor De Kamardo dhe Aleks Uitsel i dhanë fitoren Standardit, duke i shkaktuar kundërshtarëve austrikë humbjen e parë në këtë edicion të Ligës së Europës.

LIVEPULI “OK” - Liverpuli, një tjetër skuadër e lavdishme që merr pjesë në “kupën e vogël” fitoi minimalisht 1-0 ndaj rumunëve të Unirea Urziçenit, që sikurse të kuqtë merr pjesë në këtë veprimtari pasi është renditur në vendin e tretë të grupit në Champions. Sulmuesi Ngog, dhjetë minuta para fundit, shënoi golin e fitores për Liverpulin. Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, pranoi zhgënjimin që skuadra e tij nuk luan në Champions, por spanjolli është i vendosur të sjellë trofeun e Ligës së Europës në “Anfild Road”. Ai deklaroi: “Kemi mundësinë t’i kthejmë gjërat në favorin tonë, pavarësisht nga fillimi shkatrrimtar i sezonit.

Sigurisht që do të më pëlqente të luftoja për titullin në Angli dhe Champions, por duhet të pranojmë situatën ku ndodhemi e do të luajmë për vendin e katërt në kampionat dhe për të fituat trofeun e Ligën së Europës.” Skuadra tjetër e këtij qyteti, Evertoni, fitoi ditën e martë, 2-1 ndaj Sportingut të Lisbonës. “Gjithçka do të vendoset në Portugali, sepse pësuam golin në minutat e fundit, - tha trajneri i Evertonit, David Mojes. - Gjithsesi ne i kemi të gjitha mundësitë për të vazhduar më tej.”

SPANJA ZHGENJEN - Vilareali dhe Valencia nuk fituan, por as skuadrat e tjera spanjolle, Bilbao dhe Atletiko Madrid, të cilat barazuan në fushën e tyre 1-1 dhe rrezikojnë eliminimin. Baskët e gjetën veten në disavantazh ndaj Anderlehtit, por Domingez barazoi në pjesën e dytë. Atletiko shënoi me Rejesin, por nuk mundi t’i rrezistojë turqve të Gallatasarajit që barazuan me Keita.

Shakhtjori, fitues i edicionit të fundit të Kupës UEFA, ka humbur 2-1 ndaj Fulhemit, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Hamburgu fitoi minimalisht 1-0 ndaj PSV Eindhovenit, ndërsa skuadra tjetër gjermane, Herta, barazoi 1-1 në Berlin ndaj portugezëve të Benfikës, të cilët janë të favorizuar për të vazhduar më tej. Një hap “gjigand” bëri edhe Marseja e Deshampit, me fitoren 3-1 në Kopenhagen. Të katër golat e kësaj ndeshjeje u shënuan në 20 minutat e fundit.

KTHESA GREKE - Ndërkohë, Roma ka qenë dy herë në avantazh, por është dorëzuar ndaj Panathinakosit, që fitoi 3-2. Vuçiniç shënoi për italianët, që e mbyllën pjesën e parë në avantazh. Salpingidis vuri barazpeshën pas një ore lojë, por David Pizarro me 11-metërsh shënoi sërish për Romën. Gjithsesi, Panathinaikosi përmbysi gjithçka me dy gola në pesë minutat e fundit, që mbajnë firmën e Kristodopulosit dhe Dxhibril Sizesë. “Mund të iknim nga Greqia me kualifikimin e siguruar, por gabimet tona bënë që ndeshja e Romës të jetë e hapur. Dy golat e minutave të fundit ishin plotësisht të shmangshëm. Skuadra u tregua mendjelehtë dhe hodhi poshtë gjithë punën e mirë që kishte bërë për 80 minuta,” - tha trajneri i Romës, Klaudio Ranieri.