Sot dy qendërmbrojtësit e Mançesterit pritet të luajnë sëbashku në Premier Ligë
Rio Ferdinand dhe Nemanja Vidiç janë mirë fizikisht dhe mund të marrin sërish vendet e tyre si titullarë te Mançester Junajtid për ndeshjen e sotme kundër Uest Hemit, pas humbjes së rëndë e të papritur kundër Evertonit të shtunën. Dyshja Ferdinand Vidiç është ndër armët më të forta të skuadrës së Mançester Junajtid në titujt e fituar tre vitet e fundit.
Por ata kanë luajtur rrallë këtë sezon për shkak të dëmtimeve. Ferdinand i dha fund dënimit prej katër ndeshjesh, kurse Vidiç e ka marrë veten pas dëmtimit në këmbë dhe trajneri Aleks Ferguson i ka përfshirë të dy në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen e sotme. Dyshja pritet të jetë titullare kundër Uest Hemit në “Old Trafford”.
Edhe pse humbja e la Junajtid katër pikë pas Çelsit dhe i mundësoi Arsenalit të afrohej në -2 pikë, Ferguson është i bindur se skuadra e tij do të jetë sërish pretendente për titullin e katërt radhazi. “Kampionati ka qenë i hapur këtë sezon, duke e bërë të bukur. Skuadrat kanë lënë pikë që nuk shpresonim se do t’i linin, kështu që natyra e kampionatit na jep shpresa se mund të kemi shans për të fituar titullin. Kundër Uest Hemit do të jetë një ndeshje e madhe dhe shpresojmë të marrim rezultatin që na duhet”, ka thënë Ferguson. Ndërkohë që mbrojtja ka probleme, edhe loja e Runit në sulm ishte zhgënjyese kundër Evertonit.
Megjithëse ka shënuar 25 gola në kampionat dhe në kupë, 13 prej tyre në 15 ndeshjet e fundit, Runi thuajse nuk u pa në fushë kundër Evertonit, klubit ku e nisi karrierën. Të dielën, Junajtid do të luajë finalen e Kupës së Ligës në “Wembley” kundër Aston Vilës dhe Ferguson mund ta lërë pushim Runin dhe t’i japë Dimitar Berbatovit dhe Majkëll Oeunit mundësinë që të shkëlqejnë kundër Uest Hemit, por prapëseprapë emri i Runit është në listë.
Nani është i skualifikuar dhe Rajën Gigs ende e ka krahun e thyer. Uest Hemi vjen pas fitores 3-0 kundër Hull Sitit dhe vetëm dy herë këtë sezon skuadra e Xhianfranko Zolës ka fituar dy herë radhazi. Rezultati i mësipërm e çoi Uest Hemin në vend të 13-të në kampionat, katër pikë më shumë se zona e rënies nga kategoria.