12 shkurt 2010

Fabregas mohon marrëveshjen me Barçën

Kapiteni i Arsenalit, Çesk Fabregas, ka dënuar hamendjet se ai gjoja ka rënë dakord t’i bashkohet Barcelonës sezonin që vjen. Lajmet e ardhura nga Spanja tregojnë se kapiteni i Arsenalit, Fabregas, ka arritur një marrëveshje për t’iu bashkuar Barcelonës në verë. Barcelona reagoi shpejt për të mohuar zhurmën dhe ka qenë vetë lojtari ai që i ka vënë gjërat në vjië, duke këmbëngulur se ai ishte shumë i përkushtuar ndaj Arsenalit. “Ata e kanë mohuar atë. Unë vetëm dua të përqendrohem te Arsenali, ka thënë Fabregas. - Unë mendoj se Arsenal Football Club është mbi gjithçka, mbi çdo lojtar në historinë e vet dhe tifozët e këtij klubi. Unë mendoj se ky klub meriton më shumë respekt.”
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, gjithashtu ka hedhur poshtë fjalët se kapiteni i Arsenalit dhe anëtari i përfaqësueses së Spanjës ishte nisur drejt “Camp Nou”. “Asgjë plus asgjë, bëjnë asgjë”, ka thënë Venger. Megjithatë, babai i Fabregasit ka thënë se i biri do të ishte i hapur për bisedime me Barcelonën në fund të këtij sezoni dhe beson se do të merrte në shqyrtim ofertën e katalanasve, por që nuk do të largohej për sa kohë është në luftë për titull me Arsenalin.
“Nëse do të ndodhë diçka, ne do ta shohim në fund të këtij sezoni”, ka thënë babai i Fabregasit për Radio Kanal. “Por nuk mund të flasim për këto gjëra në mes të sezonit dhe e kuptoj pse Vengeri është i zemëruar. Nëse një klub është i interesuar për një lojar, duhet të shkojë te klubi i tij dhe të përpiqet të negociojë. Kështu funksionojnë gjërat në futboll.”