12 shkurt 2010

Venger i gëzohet “natës fantastike”

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, e përshkroi fitoren 1-0 të skuadrës së tij kundër Liverpulit, si “shumë të madhe”, sepse e ndihmoi ta ngushtonin në gjashtë pikë diferencën me Çelsin kryesues. “Eshtë një natë fantastike për klubin, - ka thënë ai pas ndeshjes. - Arritëm një rezultat fantastik, sepse ishim mundur në dy javët e shkuara. Lojtarët treguan mentalitet të fortë kundër një skuadre shumë të disiplinuar.
Askush nuk mund ta imagjinojë sa e vështirë është të luash radhazi kundër Mançester Junajtid, Çelsit dhe Liverpulit. Eshtë e mrekullueshme që jemi vetëm gjashtë pikë larg Çelsit.” Venger ka thënë disa ditë më parë se skuadra e tij është e aftë të fitojë titullin dhe bindja e tij u forcua edhe më shumë pas rezultatit të së mërkurës. “Ne duhet të fitojmë ndeshjet tona. Siç e kam thënë, do të qëndrojmë fuqishëm deri në fund të sezonit. Lojtarët tanë e treguan vendosmërinë e tyre”, tha ai.