12 shkurt 2010

Adebajor: Sot mund të isha në arkivol!

Sulmuesi i Togos dhe Mançester Sitit është ende i trazuar nga atentati i armatosur në Angola
Emanuel Adebajor nuk e ka aspak të lehtë ta harrojë atë që ndodhi, më 8 janar 2010, në Kabinda, kur tre anëtarë të përfaqësueses së Togos, në mesin e të cilëve edhe zëvendëstrajneri, u vranë me armë nga një bandë e armatosur, e cila sulmoi autobusin e Togos, që po çonte përfaqësuesen e këtij vendi në Kupën e Afrikës. Edhe pse tani është kthyer te Mançester Siti dhe po shënon (tre gola në tri ndeshjet e fundi), Adebajor nuk arrin ta harrojë faktin se në njërin prej atyre arkivoleve mund të ishte futur ai.
Frika - “Pas asaj që ndodhi në Angola, jam i lumtur që gjendem prapë në një fushë futbolli, - ka thënë Adebajor për “Daily Mirror”, sepse gjatë sulmit isha i bindur se nuk do të shihja më stadium me sy dhe nuk do të shënoja më gola. Por Zoti na ndihmoi. Për fat të keq u vranë disa persona dhe ne tani duhet të luajmë për ta. Sa herë që vesh fanellën dhe futem në fushë, unë duhet të shënoj për ta, sepse e di mirë që do të mund të kisha qenë unë në atë arkivol. Mund të isha varrosur unë dhe nuk është diçka e lehtë për t’u pranuar.”
Mançini Sulmuesi i Togos e ka marrë veten në Mançester, mes stërvitjeve dhe ndeshjeve, ndërsa objektivi i arritjes së vendit të katërt është ende më i rëndësishëm, sepse Adebajor synon të arrijë maksimumin me Sitin, për nder të miqve të tij të vrarë në Kabinda. Ai ka besim shumë të fortë te Roberto Mançini, tek ai që sheiku Mansur ka marrë si drejtues të skuadrës drejt kualifikimit në Ligën e kampionëve. “Mançini është italian dhe është i fiksuar pas taktikës,- ka thënë Adebajor, por më pëlqen dhe po punon shumë mirë. Jam i bindur se do të përmirësohemi edhe në ndeshjet jashtë fushës, ndërsa në fushën tonë luajmë mjaft mirë.”