Pavarësisht nga humbja me Mançesterin, kapiteni i Arsenalit beson te suksesi në Premier Ligë
Çesk Fabregas këmbëngul se Arsenali mund të sfidojë ende për titullin e Premier Ligës. Topçinjtë nuk mund ta përballonin Mançester Junajtid në ndeshjen e luajtur të dielën në “Emirates Stadium”, ku u mundën 3-1. Kjo ishte hera e dytë në këtë sezon që skuadra e Vengerit u mund nga një rival i drejtpërdrejtë. Ndeshjen e parë e humbën 3-0 kundër Çelsit në fund të nëntorit.
Humbja kundër Junajtid i dha fund serisë prej dhjetë ndeshjesh pa humbje, që e kishin sjellë në krye të renditjes Arsenalin. Nëse Çelsi mund Hullin në ndeshjen e radhës, atëherë Arsenali do të jetë sërish tetë pikë larg Çelsit, kundër të cilit do të luajë të dielën në “Stamford Bridge”. Skeptikët mund ta kenë fshirë emrin e Arsenalit nga pretendentët, që nuk ka fituar që prej vitit 2004, ndërsa mesfushori rus Andrei Arshavin pohon se po bëhet përherë e më e vështirë për t’u besuar’ mundësia për të fituar titullin pas humbjes kundër Junajtid. Fabregas, megjithatë, është i mendimit se jo gjithçka është e humbur.
“Eshtë shumë e thjeshtë të themi se u mundëm nga Mançester Junajtid dhe të dorëzohemi. Ne duhet të jemi të fortë, të jemi më të bashkuar se kurrë dhe të bëjmë më të mirën e mundshme deri në fund të sezonit”, ka thënë Fabregas. Më pas ai ka shtuar: “Me gjithë respektin që kam, unë nuk e vras mendjen se çfarë mendojnë njerëzit për ne. E rëndësishme është ajo që ne besojmë se çfarë do të ndodhë deri në fund të sezonit. Njerëzit nuk do të luajnë në fushë për ne dhe na takon neve të tregojmë se çfarë mund të bëjmë.
Njerëzit shohin futboll dhe kënaqen, por ne duhet të flasim në fushë.” Fabregas e di se Arsenali ka përballë një sfidë të fortë. “Nëse nuk beson, nuk fiton gjë. Ne duam të besojmë se jemi ende në lojë. Unë jam realist dhe nuk dua të gënjej veten dhe të tjerët. E dimë që është shumë e vështirë”, ka thënë lojtari i përfaqësueses spanjolle.
“Çelsi ishte më i fortë se ne kur u ndeshëm. Junajtid ishte më mirë se ne dhe ne duhet të vrasim mendjen që të mos ndodhë sërish. Do të jetë tepër e vështirë dhe askush nuk thotë se do të jetë e lehtë. Ne duhet të jemi të fortë dhe të shohim se çfarë do ndodhë javën që vjen.” Fabregas ka shtuar: “Ndeshja kundër Çelsit nuk është kurrë e lehtë, edhe kur je tetë pikë para, edhe kur je tetë pikë pas.
Ata janë një skuadër e fortë, që luan së bashku prej vitesh. Ne duhet t’i mundim që të jemi në garë për titull. Në futboll është e paparashikueshme e ardhmja, se çfarë mund të ndodhë në atë ndeshje. Le të jemi optimistë dhe të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv atje.”
Trajneri Venger mendon se Arsenali kishte disa probleme në mentalitet dhe ato shkaktuan atë humbje, pasi skuadra e tij luajti nën nivelin mesatar të ndeshjeve të fundit, duke thënë para ndeshjes se skuadra e tij ishte ndryshe nga ajo që Junajtid shpartalloi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve vjet.