02 shkurt 2010

Del Horno, nga Valencia te Valadolidi

Valadolidi ka huazuar mbrojtësin e majtë të Valencias, Asier del Horno, deri në fund të sezonit. 29-vjeçari, që në të kaluarën ka luajtur me kombëtaren spanjolle, Bilbaon dhe Çelsin, do të debutojë nën urdhërat e trajnerit të ri të ekipit, Onesimo Sançez, pikërisht në ndeshjen ndaj Valencias, ditën e shtunë, në “Mestaja”. Del Horno nuk është marrë për asnjë moment në konsideratë nga trajneri i Valencias, Unai Emery, i cili nuk e ka aktivizuar qoftë dhe një herë të vetme gjatë këtij kampionati.
“Kam edhe 4 apo 5 sezone për të luajtur dhe e shoh këtë sfidë të re si një rifillim të aventurës, - tha Del Horno. - Kam kaluar një periudhë të vështirë, por që ka shërbyer për të më motivuar më shumë. Shpresoj ta ndihmoj Valadolidin të qëndrojë në kategorinë e parë.” Del Horno ka luajtur 18 ndeshje dhe ka shënuar tri gola me kombëtaren spanjolle.