12 shkurt 2010

Emra: Liria do të jetë njëra nga befasitë

Futbollistët e Lirisë, në orët e mesditës së premte, janë kthyer nga Ulqini. Ata gjatë dhjetë ditëve të qëndrimit në përgatitje zhvilluan tri ndeshje miqësore.
Njëri prej sulmuesve më të spikatur në Kosovë, Uliks Emra, i cili pas pesë vjetësh është rikthyer në skuadrën e Lirisë së Prizrenit, është optimist se në edicionin pranveror do të dëshmojnë lojëra jashtëzakonisht të mira. Emra tha se për dhjetë ditë në Ulqin janë përgatitur mjaft mirë. Sipas tij, është i lumtur që është rikthyer në klubin ku i ka bërë edhe hapat e parë dhe ndihet i fascinuar edhe me mikpritjen që iu është bërë nga drejtuesit e klubit. “Në Liri jam rikthyer pas pesë vjetësh dhe ishte vendim i qëlluar i imi. Në klub me kanë pritur aq mirë sa nuk mund të përshkruaj”, tha Emra. Sa i përket përgatitjeve të zhvilluara në Ulqin, Emra i konsideron frytdhënëse dhe premtojë se Liria do të jetë befasi e këndshme. Futbollistët e Lirisë, në orët e mesditës së premte, janë kthyer nga Ulqini. Ata gjatë dhjetë ditëve të qëndrimit në përgatitje zhvilluan tri ndeshje miqësore. “Në Ulqin kemi zhvilluar përgatitjet dhe kanë rrjedhur në mënyrën më të mirë. Kushtet atmosferike disa hera kanë penguar të stërvitem ashtu si duhet megjithatë ia dolëm të përgatitem mirë. Është punuar dy-tri herë në ditë dhe me intensitet të shtuar. Kemi zhvilluar tri ndeshje miqësore, megjithëse rezultati në asnjërën nga ndeshjet nuk ka qenë në plan të parë, por më shumë ishim të përqendruar të dëshmojmë lojë të mirë. Ndeshjen e parë e kemi mposhtur me rezultat 1:0 skuadrën e njohur boshnjake, Velezhin e Mostarit, pastaj me 1:0 gjunjëzuam anëtarin e Superligës së Malit të Zi, skuadrën KOM nga Podgorica. Në ndeshjen me skuadrën fqinje, Ballkanin e Therandës pësuam humbje me shifrat 1:0, por këtë ndeshje kanë luajtur dy përbërje të Lirisë. Ajo çka është më rëndësi kemi dëshmuar formë të lartë dhe na duhen edhe disa dobësi t’i mënjanojmë që të jemi në mënyrë superiore të gatshëm për garat e stinorit pranveror të Raiffeisen Superligës dhe për çerekfinalen e kupës së Republikës së Kosovës”, tha Emra. Ai në vazhdim tha se Liria do të befasojë për të mirë dhe shumë skuadrave do t’ua prish planet. “Liria është skuadër me traditë dhe ka potencial të shkëlqyeshëm të futbollistëve. Ne do të luftojmë të jemi sa më lartë në renditjen e tabelës, por nëse na jepet rasti pse mos të fitojmë edhe kampionatin. Nuk është asgjë për t’u çuditur, po qese në fund shpallem edhe kampion, pasi që kemi skuadër të kompletuar dhe jemi mjaft mirë të përgatitur. Një duhet thënë se Liria nuk hynë me çdo kusht ta fitojë kampionatin, por vetëm nëse e meritojmë”, ka thënë Emra. Më 24 shkurt, Liria do të ketë përballje mjaft të vështirë në ndeshjen për kupë ndaj Hysit. “Lirisht mund të them se ndeshja me Hysin është një finale para finales. Kjo ndeshje është dashur të luhet më vonë, por fati ishte i tillë dhe u desh që në çerekfinale të takohem mes vete. Besoj se do të jetë një ndeshje interesante, atraktive për adhuruesit e futbollit dhe mendoj se Liria ka forcë të lojës që ta eliminojë nga garat e kupës Hysin nga Podujeva”, tha Emra. Liria stinorin vjeshtor e ka përfunduar në vendin e pestë me 25 pikë dhe shtatë pikë me pak se kampioni vjeshtor, Trepça.