03 shkurt 2010

E pa vdekjen me sy

Emmanuel Adebayor thotë se është i gatshëm ta lë prapa vetes natën e terrorit që e pësoi, në sulmin e Kombëtares së Togos, në Algjeri. Ylli i Manchester Cityt, tri javë më parë ishte pjesë e togolezëve, të cilët planifikonin pjesëmarrjen në Kupën e Afrikës, por kontingjenti i tyre u sulmua me breshëri armësh, ku si pasojë gjetën vdekjen tre persona që gjendeshin në autobus.
Adebayor u rikthye të dielën tek Manchester City, duke shënuar golin e parë, në fitoren 2:0 ndaj Portsmouth. Ai ka thënë se është ndier i emocionuar nga pritja e ngrohtë e ekipit, stafit dhe fansave të Cityt. Ai kujton se për një moment, kishte menduar se nuk do të rikthehej më kurrë në Eastlands.
“Është mirë që jam rikthyer në shtëpi dhe në fushën e futbollit. Për një çast, nuk mendoja se do ta shihja më stadiumin e Cityt dhe fansat e tij. Është ndjenjë e mira që luajta 90 minuta, ngase qe një kohë nuk kam luajtur tërë ndeshjen, ndihem mirë për këtë. Ishte ndjenjë e mirë që shënova”, ka thënë ish sulmuesi i Arsenal për tabloidin anglez, Sun.
“Por më e rëndësishme është se dëshiroj t’ia bëj një falënderim të madh të gjithë fansave të Cityt dhe klubit, për ndihmën që ma bënë gjatë periudhës së tmerrit. Gjatë momenteve të vështira që kisha, fansat më kanë dërguar mesazhe mbështetjeje. Ky gjest i tyre më ka ndihmuar shumë”, vazhdoi ai.
Tash, Adebayor, i cili i kushtoi Citizens 25 milionë funte, shpreson që ta dërgojë Cityn në Top 4. “Gjëja më e rëndësishme është lidhja në mes të futbollistëve dje klubit dhe futbollistëve me fansat. Unë e ndjej se kam lidhje dhe marrëdhënie të mirë me të dyja palët”, shtoi sulmuesi nga Togo.
Sipas tij, njerëzit që punojnë tek City dhe që e shikojnë këtë ekip, kanë besim në aftësitë e tij dhe besim në atë që është duke e bërë futbollisti. “Unë po kaloja momente të vështira të jetës sime dhe ata e vërtetuan këtë. Këtu në Manchester City është një familje e madhe dhe ka dashuri të madhe këtu. Mund të them se tash, momentet e vështira janë prapa meje. Jeta vazhdon dhe kjo do të thotë se do të vazhdoj të luaj për Cityn dhe synoj të jem i suksesshëm”, pohoi ai.
Shoku i skuadrës së Adebayor, Stephen Ireland, ka thënë se lojtarët e Cityt janë mobilizuar, pas rikthimit të tij në Manchester, para 10 ditësh. “Ne e prisnim që kur të rikthehej ai, të ishte i mërzitur, por ai dukej i lumtur dhe humori i tij ka qenë i mirë. Jam i sigurt se kur është larg futbollit, ai mund të mendojë për gjëra të tjera, por kur është bashkë me ekipin, djelmoshat do ta ndihmojnë atë”, tha mesfushori ofanziv, Ireland.