Alessio Manzoni, Jurgen Saumel e Përparim Hetemaj, janë tre përforcimet e fundit të Brescias, e cila synon të rikthehet në Serie A. Të tre futbollistët janë prezantuar zyrtarisht të martën paradite, në qendrën sportive Bazoli, në prezencë të drejtorit teknik, Fabio Corioni.Mesfushori kosovar, në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, arrin në Stadio Mario Rigamonti, nga ekipi holandez Twente, si futbollist i lirë. Ish-anëtari i ekipit athinas AEK, me klubin italian ka firmosur kontratë deri në fund të sezonit me mundësi vazhdimi edhe për tre vjet të tjera.
Kosovari me pasaportë finlandeze, dukej mjaft i entuziazmuar dhe i gatshëm të japin gjithçka për fanellën e Brescias, e cila po synon të rikthehet në elitën e futbollit italian.
Mos aktivizime te klubi holandez dhe oferta e ardhur në adresë të tij nga klubi i Serie B, e kishin bërë futbollistin me prejardhje nga qyteti i Skenderajt që mos të mendoj dy here për transferim në Itali.
“Tek Twente luaja pak, kështu që kisha dëshirë ta ndërroja ambientin. Dëshiroja ta filloj një eksperiencë në futbollin italian, i cili ka qenë gjithmonë ëndërr e imja. Dhe, më arriti oferta nga Brescia, të cilën e pranova menjëherë, pa menduar dy herë”, theksoi 23-vjeçari, i cili nuk e gjeti veten si duhet në kampionatin holandez.
Pas 23 xhirove të zhvilluara në Serie B, Brescia zë pozitën e gjashtë në tabelë, me 35 pikë të tubuara, 7 më pak se lideri Sassuolo.
Anëtari i përfaqësueses U-21 të Finlandës, bëhet shqiptari i dytë që luan në Brescia, pas ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare Igli Tare. Ky i fundit me klubin “Biancoblu”, ka luajtur dy sezone, ndërsa ka zhvilluar 75 ndeshje, duke realizuar 15 gola.
Ndërsa me transferimin e Përparimit te Brescia, numri i shqiptarëve në Serie B do të rritet në katër. Aktualisht në ligën e dytë italiane luajnë vëllai i vogël i Përparimit, Mehmet Hetemaj (AlbinoLeffe), Migjen Basha (Frosionone) dhe Edgar Çani (Piacenza).