09 shkurt 2010

Diego: Të gjithë duhet të bëjmë më shumë

Fantazisti brazilian, pas barazimit me Livornon, ka pranuar se duhet të punojë më shumë

Vazhdon momenti negativ i Juventusit, që edhe pas ndërrimit të trajnerit, nuk po arrin të gjejë rrugën e fitores në kampionat. Të shtunën në mbrëmje nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim, 1-1, kundër Livornos, që lufton për të qëndruar në Serinë A.

“Kemi bërë shumë për t’i marrë tri pikët, por nuk ka mjaftuar. Mungon akoma diçka”. Kjo ka qenë analiza e hidhur e Diegos në përfundimin e takimit me Livornon. “Eshtë një moment i vështirë, - ka vazhduar braziliani, - duhet të stërvitemi çdo ditë për të gjetur një zgjidhje, të punojmë pak më shumë për të fituar. Asnjë nuk është i kënaqur, mungon diçka dhe duhet të jemi të aftë ta gjejmë këtë diçka”.

Ish-lojtari i Verder Bremenit, ka pranuar përgjegjësitë e tij. “Unë duhet të jap diçka më shumë, - ka pranuar ai, - jo vetëm unë, por në këtë rast mund të flas vetëm për vete, jo për skuadrën, dhe unë duhet të bëj diçka më shumë. Jam një element i rëndësishëm i ekipit dhe e di se mund të bëj më shumë”.

LEGROTALIE - Një gëzim i hidhur. Goli i Nikola Legrotalies nuk i ka mjaftuar Juventusit për të arritur një fitore, që mungon prej pothuajse një muaji në kampionat. “Goli është një gëzim i madh, - ka thënë mbrojtësi bardhezi, - por unë nuk jam i kënaqur. Do kisha dashur të fitoja, ishte dita e duhur. Eshtë për të ardhur keq.

Mund të bënim diçka më shumë, në fund kemi humbur, kemi akoma shumë punë për të bërë”. Mbrojtësi bardhezi nuk e di se çfarë po e pengon Juven të ringrihet: “…pak a shumë gjithçka, - ka vazhduar ai. - Kur nuk fiton prej shumë kohësh, duhet të punosh mbi shumë gjëra të vogla, por jam i bindur se do të humbim pak ndeshje, edhe pse tani duhet të përpiqemi të fitojmë, duke filluar që nga e diela e ardhshme”.

Kundër Livornos ka debutuar mbrojtja me tre lojtarë. “Unë ndihem shumë mirë, - ka përfunduar Legrotalie. - Me këtë modul kam luajtur në fillimet e mia, më pëlqen shumë, ndihem më i lirë. Më pas i takon trajnerit të zgjedhë, dhe ne duhet ta respektojmë atë që thotë ai”.

DUHET KOHE - Alberto Zakeroni u ka kërkuar akoma kohë tifozëve të Juventusit, pas barazimit zhgënjyes të marrë të shtunën në mbrëmje: “Gota gjysmë e mbushur, apo gjysmë bosh? Rezultati nuk na kënaq, por duhet thënë se nuk kemi bërë shumë për ta fituar këtë ndeshje, dhe i duhen dhënë meritat edhe Livornos.

Aksionet tona kanë qenë shumë të ngadalta, dhe nuk kisha asnjë mundësi për ta ndryshuar këtë situatë, sepse në stol kisha vetëm lojtarë të rinj. Kemi kërkuar të luajmë me një mesfushë me katër lojtarë, me synimin për ta shfrytëzuar më mirë lojën në krahë, natyrisht është një mekanizëm që duhet përmirësuar”, ka thënë ish-trajneri i Milanit.

“Nëse Juventusi është një ekip i lodhur? Mbi të gjitha është një ekip cilësor, por për të rekuperuar ekuilibra të caktuar do të duhet kohë”, ka thënë Zakeroni, që gjithsesi ka pak më shumë se një javë që ndodhet në drejtim të Juventusit. Megjithatë, mbrojtja me tre lojtarë nuk ka funksionuar, këtë e ka treguar edhe goli me kokë i shënuar nga Filipini.