09 shkurt 2010

Guardiola: Unë nuk merrem me gjyqtarët

Trajneri i Barçës nuk reagon, pavarësisht se skuadra e tij e mbylli ndeshjen me Getafem me nëntë futbollistë
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka refuzuar të kritikojë arbitrin Fernando Tikseira Vitienes, pasi skuadra e tij ka mbetur me nëntë lojtarë në ndeshjen e fituar 2-1 të shtunën në mbrëmje kundër Getafes. Barcelona ka mbetur me dhjetë lojtarë pas përjashtimit të Xherard Pike në gjysmën e pjesës së parë dhe më pas me nëntë në kohën shtesë, kur Rafael Markez ka marrë kartonin e kuq për një faull ndaj Kepa Blankos, që është konsideruar penallti nga arbitri i takimit. Guardiola ka thënë se kritikat ndaj arbitrit nuk kanë kuptim.
“Ne nuk duhet të dyshojmë gjithmonë për gjyqtarët, duhet ta shijojmë këtë kampionat të mrekullueshëm dhe të harxhojmë më pak kohë në diksutimet për arbitrat”, ka thënë ai. Guardiola ka refuzuar të komentojë dy vendimet e gjyqtarit, por ka thënë se është normale që arbitrat të bëjnë gabime.
“Nuk ka vlerë të flasësh për këto gjëra, ata disa herë gabojnë dhe disa të tjera jo, si gjithë të tjerët”, ka shtuar trajneri i Barçës. Ish-kapiteni i katalanasve ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij, që ka arritur të fitojë edhe në një situatë të vështirë. “Jam shumë krenar. Getafe është ekipi më i vështirë ndaj të cilit mund të luash me 10 lojtarë, por ne nuk jemi dorëzuar dhe lojtarët e mi kanë reaguar në mënyrë të mrekullueshme”, ka thënë Guardiola, i cili ka dalë në mbrojtje edhe të sulmuesit Zllatan Ibrahimoviç, që nuk shënon në kampionat prej pesë takimesh.
“Ai ka qenë në formë të shkëlqyer kundër Getafes”, ka deklaruar trajneri i Barcelonës. Kjo fitore i ka kushtuar Guardiolës, pasi ai nuk do të ketë në dispozicion lojtarë kyç për transfertën e fundjavës së ardhshme kudër Atletikos së Madridit. Pike dhe Markez do të jenë të skualifikuar, ndërsa shoku i tyre i repartit Dani Alvesh ka disa probleme fizike. Braziliani mund të qëndrojë larg fushave për tri javë. Mesfushori Jaja Ture, i cili ka luajtur në mbrojtje pas largimit të Pikesë me kartonin e kuq, ka pësuar një dëmtim në këmbë dhe ka mundësi të mungojë nga 10 deri në 15 ditë.
Trajneri i Getafes, Mishel, ka thënë se ekipi i tij nuk ka qenë në një ditë të mirë. “Kemi pasur probleme në sulm dhe kjo është shqetësuese”, ka thënë ai. “Po kalojmë një periudhë të vështirë përsa i takon shënimit të golave”. Getafe la luajtur pjesën më të madhe të ndeshjes me një lojtar më shumë, por nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë avantazh, duke humbur një numër të madh rastesh, para se të shënonte nga pika e bardhë e penalltisë. “Duhet ta shfrytëzojmë më mirë lojën nga krahët”, ka përfunduar Mishel.