09 shkurt 2010

Juventusi, një fitore në tetë ndeshje

Bardhezinjtë kanë grumbulluar vetëm pesë pikë në tetë takimet e fundit në kampionat

Nga pika më e lartë tek ajo më e ulët. Në harkun e tetë ndeshjeve, nga Interi tek Livorno, Juventusi ka realizuar një arritje “historike”, duke fituar vetëm një ndeshje, atë kundër Parmës, dhe duke marrë vetëm pesë pikë në tetë takime. Shifrat e bardhezinjve janë të turpshme: 1 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje (tre në shtëpi). Një mesatare pikësh e denjë për vendet e fundit të renditjes. Më keq, por me një ndeshje më pak, janë vetëm Udineze, Parma dhe Siena.

Por, për të kuptuar më mirë transformimin e pabesueshëm të Del Pieros me shokë, duhen marrë në konsideratë edhe disa të dhëna të tjera domethënëse. Pas fitores së arritur ndaj Interit (java e 15-të, 5 dhjetor), bardhezinjtë mund të krenoheshin me sulmin e dytë më të mirë të kampionatit bashkë me Xhenoan, mbrapa krahëve të zikaltërve të Mourinjos. Nga ky moment, Juventusi ka shënuar shtatë gola dhe ka pësuar 14. Duke humbur, ndër të tjera, pothuajse të gjitha ndeshjet e zhvilluara në Torino.

Domethënë, situata, pavarësisht zëvendësimit të Ferrarës me Zakeronin, është akoma alarmuese. Sepse Juventusi ka shumë vështirësi për të gjetur rrugën e golit, dhe mbi të gjitha, siç është thkesuar edhe nga trajneri i ri, pëson gola të pabesueshëm. Goli i Filipinit, “gjiganti” i Livornos, është i fundit i shumë episodeve negative.

Nëse kampionati do të kishte filluar në javën e 16-të, Juvja tani do të ishte e katërta nga fundi, përpara Udinezes (3 pikë), Sienës dhe Parmës (katër, por me një ndeshje më pak) dhe me të njëjtin numër pikësh me Atalantën (gjithmonë me një ndeshje më pak). Me fjalë të tjera, do të kishte një ecuri të denjë për një ekip që rrezikon rënien nga kategoria.