17 shkurt 2010

Del Piero “i mbyll” polemikat me rekordin!

Kapiteni bardhezi, nuk e përmend “dredhinë” ndaj Xhenoas pas 445 ndeshjeve me Juven: Jam krenar për këtë

“Kam arritur një tjetër rekord, por akoma nuk jam mësuar me këtë ide”. Uria për fitore dhe për madhështi, personale dhe kolektive, nuk është shuar akoma tek Aleks Del Piero, që kundër Xhenoas të dielën e kaluar, ka arritur kuotën e 445 prezencave me fanellën e Juventusit, duke lënë pas një tjetër legjendë juventine, Xhiampiero Bonipertin. Ambicia e “Pinturikios” është akoma e madhe: “Nuk besoj se do të mësohem ndonjëherë me arritjen e rekordeve të tilla, - ka pohuar numri 10-të i Juves, - sepse për mua nuk janë vetëm vlerësime për atë që kam bërë, por edhe një stimul për t’u përmirësuar”.

Të dielën ka përjetuar një nga momentet më të bukura të karrierës së tij: “Një ditë për t’u mbajtur mend, që ka filluar me duartrokitjet që publiku i “Olimpiko”-s më dedikoi kur zëvendësdrejtori i përgjithshëm Roberto Betega më dorëzoi fanellën me numrin 445. Më pëlqyen shumë duartrokitjet para ndeshjes, në një moment kur tifozët nuk kishin shumë arsye për të festuar, duke parë momentin e vështirë që po kalon skuadra, me fitoren që mungonte që nga 6 janari. Kanë harruar zhgënjimin për një moment. Jam i lumtur për faktin që kam arritur t’i shpërblej në fundin e ndeshjes”.

“Me këtë takim, - ka vazhduar Aleks, - kalova Xhiampiero Bonipertin në renditjen e lojtarëve, që kanë zhvilluar më shumë ndeshje me fanellën bardhezi dhe për këtë arsye kjo është një arritje e rëndësishme. Edhe një herë karriera ime kryqëzohet me atë të presidentit që më mori tek Juventusi, njeriut, që ka bërë historinë e këtij klubi në fushë dhe më pas si drejtues.

Fola me të pak kohë më parë, bëmë shaka në lidhje me ndeshjet. Ai i ka zhvilluar të 444 takimet e tij në Serinë A, ndërsa unë midis 445 paraqitjeve të mia kam edhe 31 në Serinë B. Por, duke lënë shakatë mënjanë, për atë që kanë përfaqësuar në karrierën time dhe për Juven, ato paraqitje në B më bëjnë të ndihem krenar”.

Ajo ditë, e diela e kaluar, ishte perfekte edhe për rezultatin final, me fitoren e shumëpritur të bardhezinjve kundër Xhenoas: “Jam shumë i kënaqur që e kam festuar një eveniment të tillë me një fitore, që e kërkuam deri në momentin e fundit me vendosmëri dhe krenari. Na duhej shumë. Ka qenë bukur të shënoja një dygolësh para syve të familjes sime, që ka festuar bashkë me mua në tribunë. Një ditë e mrekullueshme”, ka thënë Del Piero.