Mesfushori i Milanit, David Beckham, i cili përgatitet për 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, thotë se Manchester United gjithmonë do të jetë dashuria e tij e parë.
Shorti i Ligës së Kampionëve nxori Milanin dhe David Beckham përballë ish-ekipit të tij, Manchester United, ku mesfushori kaloi një pjesë të shkëlqyeshme të karrierës së tij me 265 paraqitje dhe 12 trofe të fituar.
“Kur isha në Real Madrid mendova se nuk do të jetë ndjenjë e mirë të rikthehem në Old Trafford si kundërshtar i Manchester United. Disa vitet e para jashtë United ishin të vështira për mua dhe shumë gjëra më mungonin”, ka thënë Beckham.
“Ishte një ekip për të cilin gjithmonë dëshiroja të luaj dhe më pëlqente çdo minutë atje. Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e Manchester United, thjesht ishte në mua”.
“Kur u hodh shorti, ndjeva se është momenti i duhur për t’u rikthyer në Old Trafford. Rikthimi do të jetë i veçantë dhe shumë emocional”, ka shtuar anglezi./