20 shkurt 2010

Arsenal-Sanderlend, nevoja për kthesën…!

Sot në “Emirates” të dy ekipet synojnë fitoren për të hedhur pas shpine vështirësitë, që po kalojnë
Arsenali do të ketë përballë Sanderlendin në ndeshjen e radhës në Premier Ligë, me synimin që të mos u ndahet kryesuesve. Në mesjavë, Arsenali u mund 2-1 nga Porto në Ligën e Kampionëve pas gabimeve të portierit dhe momenteve të gabuara në arbitrim, por tashmë “Topçinjtë” janë fokusuar te ndeshja e sotme në “Emirates” kundër Sanderlendit që nuk ka fituar në 12 ndeshjet e fundit. Nëse lojtarët e Arsenalit kanë nevojë për motivim ekstra, le të mbajnë mend se fitorja e fundit e Sandërlendit ka qenë pikërisht ajo kundër Arsenalit, 1-0, në mes të nëntorit.
Edhe pse Çelsi kryesues luan kundër Volverhemptonit në transfertë po sot, Mançester Junajtid i vendit të dytë mund të lërë pikë kundër Evertonit dhe t’i japë Arsenalit mundësinë që të ngushtojë diferencën me kryesuesit. Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ndoshta mund të aktivizojë disa lojtarë të rinj në këtë ndeshje.
Ai mund të fusë në lojë portierin Manuel Almunia pasi Lukas Fabianski e çoi dëm shansin për të treguar vlerat e tij në ndeshjen kundër Portos, duke shënuar një autogol dhe duke shkaktuar faullin që solli golin e dytë të Portos. Mesfushori Aleks Song mund të jetë në fushë, ndërkohë që Abu Diabi do të mungojë sepse është i dëmtuar.
“Ai ka dhembje në gju”, ka thënë Venger. “Mund të them se Song është 80 për qind pjesë e skuadrës. Almunia 50:50. Por Diabi zero.” Uilliam Gallas, Andrei Arshavin dhe Eduardo da Silva nuk luajnë, madje mund të mungojnë edhe në ndeshjen kundër Stokut. Sandërlend ka bërë tre barazime javët e fundit, por ka rënë pesë vende duke shkuar në vendin e 13-të dhe është vetëm tri pikë mbi zonën e rënies nga kategoria.
Sandërlendi mund të jetë pa gjashtë mesfushorë, pasi Li Katermole dhe David Mejler janë të skualifikuar, ndërsa Xhordan Henderson dhe Andi Reid të dëmtuar. Sted Malbranke dhe Kieran Riçardson mund të mos luajnë së bashku me mbrojtësit Anton Ferdinand dhe Xhon Mensah, por prapë ekziston një mundësi që të luajnë.
Çelsi shkon në fushën e Volvesit me dëshirën për të fituar si dhe për të fituar terren pas humbjes 2-1 në fushën e Evertonit. Mançester Junajtid shpreson te forma e mirë e Uejn Runit për të mundur Evertonin. Golat e Runit në fitoren e Ligës së Kampionëve kundër Milanit e çuan në 25 numrin e golave të bëra prej tij këtë sezon. Uest Hemi pret Hull Sitin, kurse Stok luan kundër Portsmuthit. Nesër luhen pesë ndeshje të tjera.