05 shkurt 2010

Bajerni kërkon hakmarrjen ndaj Volfsburgut

Bavarezët në ndjekje të Leverkusenit, luajnë ndaj “ujqërve” që i mundën 5-1 në sezonin e kaluar
Udhëtimi i fundit i Bajernit të Mynihut drejt Volfsburgut ka përfunduar me bavarezët, që kanë marrë humbjen më të keqe në vitet e fundit dhe i ka hapur rrugën Volfsburgut drejt titullit në Bundesligë vitin e kaluar. Fitoria 5-1 e kampionëve në fuqi të kampionatit gjerman ka qenë humbja më e thellë e Bajernit në transfertë, në shtatë vitet e fundit. “Unë nuk besoj se ajo humbje mund të ndikojë akoma”, ka thënë trajneri i Bajernit, Luiz van Gal. “Ne kemi lojtarë të tjerë tani.
Jemi në formë të mirë, Volfsburgu jo”. Volfsburgu nuk ka qenë në gjendje të përsërisë paraqitjen që ka bërë sezonin e kaluar dhe nuk ka arritur të marrë një fitore në tetë ndeshjet e fundit, duke shkuar në vendin e 11-të në renditje. Trajneri i ri Lorenc-Genter Kostner beson se fitoria e sezonit të kaluar do të jetë një problem tani për Volfsburgun.
“Një klub i madh nuk e harron një turpërim të tillë”, ka thënë Kostner. Bajerni nuk ka arritur të fitojë në katër transfertat e fundit të zhvilluara në Volfsburg, por vjen nga shtatë takime të fituara rradhazi në kampionat dhe ndodhet në vendin e dytë në renditje, dy pikë më pak se Bajer Leverkusen (44). Lverkusen vazhdon të jetë i pamposhtur pas 20 ndeshjesh.
Hera e fundit që një skuadër e Bundesligës ka pasur një ecuri të tillë, ka qenë para 21 vitesh dhe ka qenë pikërisht Bajerni i Mynihut që ka fituar titullin nën urdhërat e Jup Heinkes, që tani është trajner i Leverkusenit. Ndjekësja e tyre më e afërt, Shalke, ka 41 pikë, pesë më shumë se Borusia e Dortmundit. Ka shumë mundësi që në fund titulli të fitohet nga një prej tre skuadrave të para. Historia e Leverkusenit tregon se kjo skuadër pëson zakonisht një rënie në fazën e dytë të sezonit dhe nuk ka arritur asnjëherë ta fitojë titullin, me katër vende të dyta të arritura.
“Situata mund të vështirësohet”, - ka thënë mesfushori i Bajerit Toni Kros. “Ne nuk mund t’u lejojmë kundërshtarëve aq shumë mundësi siç kemi bërë të dielën e kaluar kundër Freiburgut”, ka thënë mbrojtësi finalndez Hipia. Freiburgu ka pasur disa raste para se Leverkuseni të shënonte tre gola në katër minuta, duke fituar 3-1. “Ne duhet të jemi agresivë. Përndryshe gjërat mund të shkojnë keq kundër Bokumit të Shtunën”, ka thënë Hipia.
Bokumi ndodhet në vendin e 14-të dhe një fitore ditën e nesërme do ta largonte akoma më shumë këtë ekip nga vendet e fundit në klasifikim. Ndërkohë, Bajerni ka bërë të ditur, ditën e djeshme, se ka zgjatur kontratat e 20-vjeçarëve Tomas Myler dhe Holger Badshtuber deri në vitin 2014. Drejtuesit bavarezë shpresojnë të bëjnë të njëjtën gjë me Riberinë, kontrata e të cilit skadon sezonin e ardhshëm.
Karl-Hainz Rumenige beson se francezi do të vendosë të qëndrojë. “Unë jam optimist, ka shumë mundësi që Riberi të vendosë të qëndrojë”, ka thënë Rumenige. Java e 21-të e Bundesligës do të startojë sot me Verder Bremen, që do të presë Hertën e Berlinit, që ndodhet në vendin e fundit. Bremen, që nuk ka humbur në 23 takime të njëpasnjëshme në të gjtiha kompeticionet në fillimin e sezonit, ka humbur pesë përballjet e fundit duke përfunduar në vendin e gjashtë.