05 shkurt 2010

Java 17: Partizani-Bylis, kryesfida e kategorisë së parë

Të shtunën e 6 shkurtit 2010, krahas superligës, do të luhet edhe kategoria e parë. Shtatë nga tetë ndeshjet e javës së 17-të, ndër të cilat spikat ajo që do të luhet në “Selman Stermasi’, mes Partizanit dhe Bylisit. Të dyja skuadrat në fjalë ishin edicionin e shkuar në superligë, por tashmë duhet të “përplasin brirët” në kategorinë e parë, me synimin për t’u rikthyer mes më të mirëve. Natyrisht, gjenden në pozita të ndryshme në tabelën e renditjes, sepse Bylisi kryeson i vetëm, me 40 pikë, ndërsa Partizani mban për momentin vendin e tetë, me 20 pikë. Por ngjarjet në kampin e kuq nuk janë më ato të fazës së parë, kur organika ishte e përbërë me lojtarë të dobët dhe që nuk paguheshin. Ardhja e administratorit të përgjithshëm të Partizanit, Paro Laci, është shoqëruar me një merkato cilësore dhe mbushjen e xhepave të lojtarëve. Kësisoji, objektivi është një dhe i vetëm, ngjitja e Partizanit në superligë. Mision që fillon nga sfida e parë e fazës së dytë për të (sepse nuk e luajti ndeshjen në Bilisht Sport javën e shkuar, për shkak të kushteve atmosferike në qytezën juglindore), ndaj Bylisit kryesues. Mësohet se në këtë ndeshje mjaft të fortë dhe përcaktuese për vijueshmërinë e të kuqve, lojtarët e Partizanit do të luajnë me shirit të zi në krahë, në nder të Panajot Panos, “mbretit” të futbollit shqiptar dhe të këtij klubi legjendë, që u nda nga jeta para disa ditësh. Ky fakt përbën një motiv më shumë për Partizanin, që ta fitojë ndeshjen me Bylisin, për të kënaqur edhe tifozët e vet të tharë për një skuadër pa probleme financiare dhe të denjë për të luajtur bukur.
Në kuadrin e javës së 17-të të kategorisë së parë, po të shtunën, do të luhen edhe ndeshje të tjera, interesante dhe përcaktuese për objektivat e gjithsecilit. Kështu, Elbasani dhe Lushnja, që e ndjekin më së afërmi Bylisin e vendit të parë, do të luajnë në shtëpi. Verdheblutë do të kenë një derbi me Sopotin, ndërsa lagunarët do të presin Turbinën e Cërrikut. Sfida në dukje të lehta për to, por që kërkojnë përqendrim dhe maturi, edhe për të bërë autokritikë para tifozëve të vet, për humbjet në transfertat e javës së shkuar, respektivisht në Lezhë dhe në Gjirokastër. Nga skuadrat e tjera të gjysmës së parë të kreut, që kanë ambicie superlige, Kamza do të presë në shtëpi Besëlidhjen e Lezhës, ndërsa Ada e Velipojës do të udhëtojë drejt Burrelit. Sfidë e këtij rangu konsiderohet edhe Pogradeci-Luftëtari, që në fakt do të luhet një ditë pas të tjerave, të dielën, në stadiumin e Korcës, pasi stadiumin e vet e ka në rikonstruksion.

13:00 Gramozi - Din. Tirana
13:00 Skenderbeu - Teuta Durres
14:00 Tirana - Vllaznia
14:00 Laci - Shkumbini
13:00 Besa - Kastrioti
14:00 Flamurtari - Apolonia

KATEGORIA E PARE JAVA e 17-të 06.02.2010

MEMALIAJ-SKRAPARI
GRAMSHI-B.SPORT
ELBASANI-SOPOTI
PARTIZANI-BYLIS
KAMZA-BESLIDHJA
BURRELI-ADA
LUSHNJA-TURBINA

07.02.2010

POGRADECI-LUFTETARI