05 shkurt 2010

Argjentina, lista e Maradonës, “katastrofë”

Komike mund të konsiderohet lista e lojtarëve të grumbulluar nga Maradona për miqësoren midis Argjentinës dhe Xhamajkës, sepse në të janë emrat e 5 lojtarëve të padisponueshëm.Nuk kanë të sosur gafat e teknikut të kombëtares argjentinase. Pasi rrezikoi një skualifikim historik në Kupën e Botës, së fundi “El Pibe d’Oro” ka përfshirë në listën e grumbullimit për miqësoren me Xhamajkën më 10 shkurt emrat e pesë futbollistëve që nuk janë të disponueshëm për kombëtaren.
Janë katër lojtarë të Estudiantesit të cilët të nesërmen e miqësores duhet të luajnë me klubin në Kupën Libertadores. Por kjo nuk është e gjitha, pasi ish-ylli i Argjentinës ka futur në listë edhe emrin e Huan Pablo Pereiras. Ky futbollist sapo është operuar hundë dhe nuk është i disponueshëm më 10 shkurt.
Më 3 mars Argjentina do të luajë një miqësore përballë Gjermanisë, ku do të grumbullohen edhe lojtarë që luajnë në kampionatet europiane. Të shohim nëse edhe kësaj radhe Diego Armando Maradona do të nxjerrë diçka nga repertori i tij i gafave!