05 shkurt 2010

Reali-Juves: Diego+Kielini=Kaka?

Nga Spanja vijnë zëra sipas të cilëve drejtuesit madrilenë janë duke menduar mundësinë për t’i ofruar Juves brazilianin në shkëmbim të Diegos dhe Kielinit.

Ish-asi i Milanit, i blerë nga Reali i Madridit për shumën e 65 milion eurove në merkaton e verës, nuk po arrin të gjejë formën më të mirë që prej mbërritjes në “Bernabeu”, prandaj drejtuesit po mendojnë ta përdorin si trampolinë për të afruar lojtarë të tjerë që janë objektiva të “Galaktikëve”.

Megjithatë, ky skenar duket i pamundur për tre arsye: e para sepse Kaka vështirë se mund të nxirret në merkato nga Reali dhe e dyta sepse as Juventusi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga dy prej lojtarëve kryesorë të ekipit. Po kështu, një arsye tjetër e fortë është se vetë Kaka, i larguar nga Italia verën që shkoi, nuk ka dëshirë të rikthehet në gadishull.