03 shkurt 2010

“Antika” e Prishtinës e çon në prokurori Armando Dukën

Tiranë, 3 shkurt - Prej kohësh, presidenti i SK "Tiranës" Refik Halili ka denoncuar tenderin e përgatitur nga Federata Shqiptare e Futbollit për ndriçimin e stadiumeve, duke e bërë direkt përgjegjës për këtë skandal presidentin e FSHF-së Armando Duka. Por tani, ky skandal duket se është bërë fakt i kryer nëpërmjet një denoncimi që një nga firmat pjesëmarrëse në tenderin e zhvilluar në gushtin e vitit 2009, ka bërë në prokurorinë e Tiranës. Bëhet fjalë për denoncimin e firmës "Antika" shpk, me qendër në Prishtinë, e cila pretendon pranë prokurorisë se hapja e ofertave të firmave në FSHF është bërë në datën 10 tetor. "Firma jonë, është përfaqësuese e firmës së njohur "Philips Lighting" me qendër në Holandë, firmë kjo me një reputacion të padiskutueshëm në realizimin e ndriçimit të stadiumeve... Ne e vlerësuam këtë tender, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe për faktin se kërkonim të realizonim një punë maksimalisht cilësore në Shqipëri",- thuhet në kallëzimin e përfaqësuesve të Philips në Shqipëri, nëpërmjet "Antika". Procedurat e tenderit të ndriçimit janë zhvilluar në fillim të tetorit në FSHF. Gjatë komunikimeve publike, Presidenti i Tiranës Refik Halili ka pretenduar se FSHF ka bërë abuzime me këtë tender, ku paratë për ndriçimin e stadiumeve, jepen nga UEFA. Kështu, FSHF u ka kërkuar bashkive që të vënë në dispozicion të ndriçimit të stadiumeve të tyre shuma të konsiderueshme parash nga buxheti i tyre, dhe kjo gjë nuk është realizuar. Ndërkohë që tenderi në Tiranë, sipas të dhënave të presidentit të Tiranës, rezulton tërësisht i manipuluar e plot mashtrime. Në fakt, prokuroria do të zbardhë ngjarjen, por kallëzimi në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit nga firma "Antika" hedh dyshime për zhvillimin e këtij tenderi. "Me sa mbajmë mend, në këtë tender janë paraqitur pesë apo gjashtë kompani. Nga hapja e zarfeve, rezulton se ofertat e dhëna nga ne pjesëmarrësit në tender kishin diferenca pasi disa kishin planifikuar TVSH (taksën) dhe disa të tjera jo. Kjo kishte ardhur pasi vetë Federata Shqiptare e Futbollit, në propozimin e saj, nuk e kishte vendosur këtë element, duke e lënë atë në harresë",- thuhet në kallëzimin e “Antikës” për Federatën në prokurorinë shqiptare. Në tender kanë marrë pjesë pesë kompani të mëdha të cilat sipas pretendimit të Antikës, por edhe dokumenteve kanë dhënë çmime të ndryshme. "Antika" shpk, pretendoi se gjithçka u zhvillua në mënyrë të paligjshme dhe në shkelje të hapur dhe flagrante të ligjit shqiptar për tenderimet. Aq më tepër që, në përfundim të tenderit nuk është marrë parasysh oferta më e ulët. Kjo ka çuar përfaqësuesit e Philipsit në Prishtinë që të kallëzojnë zyrtarët e Federatës në prokurorinë e Tiranës, duke kërkuar transparencën e procedurave të zhvillimit të tenderit. Ndërkohë që sipas Federatës fitues i tenderit ka dalë General Electric, e cila në fakt ka paraqitur një ofertë më të lartë sesa "Antika" shpk. Pikërisht zyrtarët e Antikës pretendojnë përveç ofertës më të lartë, edhe mungesën e dokumentacionit që firma ITE grup, që pretendon se përfaqëson General Electric, nuk ka paraqitur asnjë dokument që është përfaqësuese e kësaj firme. Pritet shumë shpejt pas këtij kallëzimi prokuroria e Tiranës të nisë hetimin, ndërkohë që do të dëgjohen të gjitha palët e interesuara. Presidenti i Federatës Armando Duka, gjendet përpara fillimit të fushatës për zgjedhjet e reja brenda Federatës dhe nëse do të vërtetohet shkelja në procedurat e këtij tenderi, kjo do të dobësonte shumë pozitat e tij për Presidencën.