04 shkurt 2010

Ançeloti: Defekti ynë, goditjet standarde

Karlo Ançeloti i ka dhënë mbështetjen e tij Xhon Territ, me synimin që ta ndihmojë të lërë pas krizën personale, ndërkohë që Çelsi nuk shkoi më tej se një barazim 1-1 kundër Hull Sitit në “KC Stadium.” Ançeloti ka thënë: “Asgjë nuk mund të na e largojë përqendrimin nga kampionati. Në çdo ndeshje Çelsi luan për fitore si skuadër e fokusuar. Përqendrimi ynë është maskimal, përfshirë Xhon Terrin dhe mua. Formacioni që do të kemi kundër Kardifit do ta konfirmojë këtë që po them. Nëse ai ka nevojë për ndonjë ditë pushim, do ta ketë. Por nëse jo, do të luajë kundër Kardifit. .

Unë nuk dua të flas për këtë gjë. Për të nuk ka ndryshuar asgjë. Ai vazhdon të luajë mirë, si në çdo ndeshje tjetër dhe ka formë të mirë. Ai është duke bërë maksimumin që mund të bëjë dhe nuk ka ndryshuar. Ne jemi në krye të ligës. E dimë se Mançester Junajtid është skuadër e fortë dhe do të jetë një garë e gjatë deri në fund të sezonit. Jemi të lumtur që kemi dy pikë epërsi. Ndeshja kundër Hullit ishte një mundësi për t’u shkëputur, por nuk mund të fitosh çdo ndeshje.”

Çelsi barazoi me anë të Didië Drogbasë nga goditja e lirë duke evituar humbjen. Ky ishte goli i tij i 20-të këtë sezon dhe anuloi epërsinë e Hullit me anë të Stefen Mujokolos, që shënoi golin e tij të parë për Hullin. Ançeloti ka ngritur lart impaktin që pati Drogba me lojën e tij pas largimit me përfaqësuesen e Bregut të Fildishtë në Kupën e Afrikës. Ai beson se forma e tij do të jetë vendimtare tani që sezoni është në fazën finale.

Ançeloti ka shtuar: “Eshtë një moment i rëndësishëm për ne, por duhet t’i kemi të tërë lojtarët të gatshëm nga tani deri në fund të sezonit.” Hulli pati fat në disa momente të lojës, teksa portieri i vendasve, Boaz Mihill, bëri disa pritje të mira. Por trajneri i Hullit ka pohuar se skuadra e tij e dëshmoi se është një skuadër që mund t’u marrë pikë kryesuesve dhe se do të bëjë çmos të shmangë rënien nga kategoria edhe këtë sezon. “Duke ditur se kë kishim përballë, them se bëmë një performancë të mirë. Më vjen keq që nuk luajmë kështu çdo herë”, ka thënë Braun.