09 shkurt 2010

Alvesh dhe Ture, mungesat në Champions

Barcelona nuk do të ketë në dispozicionin mbrojtësin brazilian të krahut të djathtë, Dani Alvesh, për shkak të një dëmtimi në ndeshjen e parë të Champions Ligës kundër Shtutgartit, më 23 shkurt, ndërsa Jaja Ture është gjithashtu në dyshim për takimin e parë kundër gjermanëve, pas dëmtimit të pësuar kundër Getafes.
Alvesh, i cili ka luajtur në të gjtiha ndeshjet në fazën me grupe të Championsit, do të mungojë për tri javë pas dëmtimit muskulor që ka pësuar gjatë nxehjes para ndeshjes së fituar 2-1 me Getafen të shtunën në mbrëmje. Ndërsa mesfushori Ture do të mungojë për dy javë, pasi ka dëmtuar kofshën e tij të majtë në takimin e fundjavës. Ndeshja e 100-të me katalanasit, për lojtarin nga Bregu i Fildishtë, ka zgjatur vetëm 57 minuta. Barcelona ka dalë e para në Grupin F dhe janë gjithashtu pesë pikë para Realit të Madridit në kampionat.