09 shkurt 2010

Van Nistërloi: Më joshi Bundesliga…

Sulmuesi holandez flet për Hamburgun, Real Madridin, Premier Ligën dhe ëndrrën e Botërorit

Ai ishte një prej futbollistëve më të dëshiruar dhe të kërkuar në dritaren e transferimeve të janarit. Ajo që e bindi të linte Realin e Madridit ishte joshja gjithnjë e më e madhe për të luajtur në Bundesligën gjermane.

Përse vendosët të firmosni për Hamburgun?

Sa më shumë mendoja për t’u bashkuar me Hamburgun, aq më shumë më joshte kjo lëvizje, pasi doja të përjetoja një përvojë në Bundesligë. Së bashku ma Anglinë dhe Spanjën, ky është një prej kampionateve më të mirë të Europës. Kur isha fëmijë i shihja ndeshjet e tij në TV, çdo javë. Pra mund të thuhet se përherë kam pasur një tërheqje.

Hamburgu është një klub me tradita të mëdha, ato kanë qenë edhe kampionë të Europës. Aktualisht kanë një skuadër të fortë dhe sikurse unë janë ambiciozë. Po kështu më pëlqen fakti se janë modestë, sikurse nuk jam i sigurt nëse prisnin t’u thosha po. Ata janë klub i majave në këtë këndvështrim. Jam krenar të luaj për ta.

Hamburgu ka një traditë për të afruar lojtarë holandezë. A ju tërhoqi kjo drejt këtij klubi?

Ka lidhje të forta mes këtij klubi dhe futbollit holandez. Në Holandë janë të shumtë ata që e shohin Bundesligën gjermane si një lëvizje të goditur për karrierën e tyre. Para se të nënshkruaja këtu, fola me shumë njerëz rreth Hamburgut, qofshin ato futbollistë aktualë atje, si Joris Mathijsen, apo ishët, si Rafael van der Vart, Naixhell de Jong ose Halid Bulahruz. Secili pati vetëm gjëra të mirë për të më thënë për klubin, qytetin; ata më këshilluan ta rrëmbeja fluturimthi këtë mundësi.

A nuk e përkundët idenë e rikthimit në Premier Ligë?

Disa skuadra angleze treguan interes për mua, çka më bëri të ndalesha dhe të mendoja. Dashuroj gjithçka në futbollin anglez, mjedisin e tij dhe, pas pesë vitesh të pabesueshme në “Old Trafford” do të isha çmendur, po të mos isha joshur nga mendimi i rikthimit në Angli. Në fund, asgjë nuk u materializua, kjo është jeta. Në këtë kohë, tregu i transferimeve është i kujdesshëm, kjo është pasojë e recensionit. Përfundimisht, ajo që më ofroi Hamburgu si sportist ishte më solidja dhe më bindësja.

A e ndiqni ende futbollin e Premier Ligës?

Natyrisht. I shoh ndeshjet në televizion; qartësisht, Çelsi dhe Mançester Junajtid do të luftojnë për titull këtë sezon. Që të dyja kanë organika plot me djem me mendësi fituese, por dëshiroj që ish klubi im të ringjitet përsëri në krye. Junajtid si përherë bëhet më i fortë, sa kohë që rrjedh sezoni dhe ata kanë një gjeni: Uejn Runin.

Duhet të jeni riaftësuar dhe i etur të luani, pasi qëndruat larg kaq gjatë për shkak dëmtimi?

Kjo është e sigurt. Mendimi i parë imi kur u riktheva në fushë, ishte të qëndroja tek Reali dhe të luftoja për vendin e dikurshëm të titullarit, pasi mirëfilli besoja se mund të jepja ndihmesën time në La Liga dhe Ligën e Kampionëve. Pastaj mësova dhe kuptova se klubi kishte lëvizur për të blerë Kristiano Ronaldon, Kakanë dhe Karim Benzemanë: për mua kishte ardhur koha të pranoja situatën dhe të bëja plane alternative. Në moshën 33-vjeçare, për mua nuk vlen të luaj herëpashere. Synoj të shkoj në Botëror në Afrikën e Jugut këtë verë. E vetmja mënyrë për t’ia arritur kësaj është të luaj, të luaj, të luaj.

A ndjeni se Hamburgu është krejt i ri në karrierën tuaj..?

Hamburgu më ofroi mundësinë të kem një fillim të ri, që mirëfilli të rinis rikthimin tim, pra nuk mund ta shpie kot asnjë minutë. Në këtë moment të jetës, Hamburgu është pikërisht ajo që kisha nevojë. Do të jem sulmuesi i tyre kryesor, sikurse do të kem kohë mjaft të punoj për formën time fizike në ndeshje, por edhe për riaftësimin e sensit të qëndrimit dhe shënimit para portës. Natyrisht, nuk e kam asgjëkundi të shkruar se do të jem automatikisht titullar, por këtë ndjesi përçova nga bisedimet me trajnerin Bruno Labadia dhe drejtuesit.

Çfarë do t’u thonit atyre që ndjejnë dhe shprehen se blerja e një futbollisti me atë histori dëmtimesh është një risk?

Ka nga ata që mendojnë kështu dhe nuk mund të bëj asgjë për këtë. Të gjithë e dinë moshën time: kam pësuar dy dëmtime të rënda në gjurin e djathtë. Këtu dua të përgënjeshtroj këdo. Gjuri im është tamam si i ri, falë kirurgut amerikan, Dr. Riçard Steadman; ai është i bindur se unë mund t’i përballoj kërkesat e futbollit në nivelin më të lartë. Ndihem si njeri i ri, në planin fizik dhe gjendja mendore është kaq e rëndësishme. Jam i ndërgjegjshëm se ende kam mjaft kohë për futbollin e niveleve më të larta.

Cilat janë objektivat tuaja tek Hamburgu?

Prioriteti madhor është të jap ndihmesën time për ta bërë klubin të suksesshëm, dhe gjithçka rrjedh nga kjo gjë. Nëse luaj po aq mirë si në të shkuarën dhe shënoj rregullisht në Bundesliga, do të doja të mendoja se trajneri i përfaqësueses holandeze do të më bënte një telefonatë, duke pasur edhe shansin se mund të konkurroja në Botëror. Unë jam përherë i gatshëm për sfida të reja: ja ç’më bën të vazhdoj gjithnjë.

A janë ambiciet ndërkombëtare të parat në mendjen tuaj, duke ditur se ky është viti i Botërorit?

Rikthimi im në përfaqësuesen e Holandës është pjesë e motivit tim me siguri. Synoj ta ndihmoj Hamburgun të kualifikohet për në Ligën e Kamopionëve, që të shkojë sa më larg në “Europa League” këtë sezon. Ndeshjet tona të ardhme janë kundër ish klubit tim PSV Eindoven, një koincidencë që vetëm futbolli mund ta ofrojë. Ato që më njohin do të më kuptojnë, por unë nuk jam nga ato që jetojnë me të shkuarën. Të gjitha trofetë e fituara nga unë do të shijohen vetëm në fund të karrierës sime. Jam i fiksuar tek e ardhmja, te marrëveshja 18 mujore e nënëshkruar me Hamburgun.

A ndjeni ndonjë zemëmrim ndaj Real Madridit, që ju shtyu jashtë “Bernabeut”?

As më të voglin. Nuk mbaj mëri me drejtuesit atje. Ata nuk më përfshinë në planet e tyre, por përgjigja ime ishte e tillë, që të mos e pranoja këtë gjë dhe për ta provuar fatin tim gjetiu. Reali më trajtoi si xhentelëmen dhe nuk u ndamë aspak me pengje dhe lëndime.

Vërtet kalova një kohë fantastike në “Bernabeu”. Për Realin shënova shumë gola, atje punova me disa prej futbollistëve më të mirë të planetit, atje fitova titullin e kampionit të Spanjës në vitin 2007; ndoshta më e rëndësishmja prej të gjithave është se pata marrëdhënie të shkëlqyera me tifozët. Nuk do ta harroj kurrë mbështetjen që më dhanë, madje deri në fund fare. Vetëm kur e mendoj më shkojnë mornica. Ky po, ishte një privilegj.”