Tifozët juventinë s’falin as Kanavaron..
Është ofenduar e vërshëllyer gjatë gjithë ndeshjes, por gjithsesi Fabio Kanavaro e kishte parashikuar diçka të tillë. Tifozeria bardhezi duket qartë që nuk e ka kapërdirë ende atë “arratisje” të kapitenit të përfaqësueses italiane, pas vendimit mbi rënien e Juventusit në Serinë B. Gjithsesi, Kanavaro kërkon ta kalojë me inteligjencë këtë episod, ndërsa thotë: “Vërshëllimat ndaj meje...? As që i kam dëgjuar. Pavarësisht kësaj, kur ndeshja mbaron, të gjithë mbetemi miq si më parë”. Një njeriu si ai, miqtë tek Juventusi sigurisht që nuk i mungojnë. “Këtu kam kaluar dy ndër vitet më të bukura të karrierës sime dhe sigurisht që vërshëllimat nuk më shqetësojnë. Unë eci përpara në rrugën time, por nuk harroj kurrë që këtu në Torino kam shumë miq, madje ndër më të mirët”, thekson ish-mbrojtësi bardhezi. Fabio priste një reagim të fortë të Juventusit dhe ashtu ndodhi, por gjithsesi është i sigurt se në turin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve do të vazhdojnë Juventusi dhe Reali i tij: “E dija mirë dhe kisha paralajmëruar që në momentet e vështirësisë, Juventusi gjen forcat për të rilindur. Në pjesën e parë qëndruam gjatë nën presionin e bardhezinjve, ndërkohë që në 45 minutat e dyta arritëm të merrnin në dorë takimin, ndonëse rezultati i sfidës ishte kompromentuar. Nuk arritëm të shfrytëzonim lojën nga krahët dhe zbritja në fushë e Arjen Robenit e zgjidhi një problem të tillë, aq sa në krosimin e parë të kryer prej tij arritëm të zvogëlonim diferencën. Gjithsesi, jam i bindur që në përfundim të fazës së grupeve, ne dhe Juventusi do të avancojmë më tej, pasi edhe rezultatet e dy rivaleve tona na favorizojnë për ndeshjet e ardhshme”, deklaron mbrojtësi i “galaktikëve” të Realit të Madridit dhe përfaqësueses italiane, Fabio Kanavaro.