26 tetor 2008

Rikthehet festa te Juventusi.

Amauri vendos edhe një herë tjetër fatin e takimit dhe Juventusi rikthehet të buzëqeshë. Goli i pestë në kampionat për italobrazilianin i ka mjaftuar “Zonjës së Vjetër” për të sjellë në shtëpi tri pikë të rëndësishme, në një përballje shumë të rëndësishme si derbi kundër Torinos. Në këtë mënyrë, Juventusi rikthehet të festojë në Serinë A pas dy humbjeve radhazi kundër Palermos e Napolit. Gjithsesi, ashtu siç pritej, triumfi në mesjavë në Ligën e Kampioneve kundër Realit të Madridit kishte ringjallur forcat e bardhezinjve. Pavarësisht mungesave të shumta, Juventusi gjunjëzon Torinon, e cila ndonëse ka krijuar shumë raste të pastra për shënim, nuk ka arritur të konkretizojë asnjë prej tyre. Pjesa e parë ka folur më shumë për bardhezinjtë, ndonëse vuajnë në minutat e para agresivitetin e “granatave”. Gjithsesi, mbrojtja e vëmendshme juventine dhe ndërhyrjet e sakta në mesfushë nga Nedved e Sisoko arrijnë të frenojnë me kalimin e minutave entuziazmin e Torinos. Pjesa e dytë fillon mbarë për Juventusin, pasi vetëm tri minuta nga fillimi i saj, Amauri shënon golin e vetëm të këtij derbi, i cili e ngjit Juventusin në kuotën e 12 pikëve, ndërkohë që Torino mbetet në atë të 5 pikëve.