16 tetor 2008

LAJMET NEWS 16.10.2008

Kaka: Njerëzit duhet të qëndrojnë të virgjër deri në martesë
Asi brazilian i Milanit, Kaka, beson se vendimi tij për të qëndruar i virgjër deri në martesë, duhet të jetë një shembull për të gjithë të rinjtë në botë.
Sipas njoftimeve të reja nga ylli i Rossonerëvë, edhe pse ai është shumë aktiv në fushë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për dhomën e fjetjes. Kaka i cili është një evangjelist i devotshëm, beson se nuk duhet të kihet marrëdhënie seksuale deri në martesë, dhe ka dhënë një mesazh për të gjithë ata që dyshojnë për këtë. “Unë jam shembulli më i mirë. Shumica e njerëzve thonë se pas martesës ata nuk dëshirojnë të kenë marrëdhënie me partnerin tyre sepse nuk i tërheq më. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë”. “Shumë njerëz kanë qenë të befasuar nga unë, mirëpo unë mendoj se ky është një vendim i drejtë. Unë jam një evangjelist dhe besoj në këto vlera. Mendoj se njerëzit duhet ta ndalojnë veten të mos bëjnë dashuri para se të martohen”. “Kuptohet, të gjithë kanë opinionet e tyre, mirëpo unë mendoj se ia vlen të pritet”, ka përfunduar lojtari më i mirë në botë për vitin 2007.

Vetëm 150 milionë euro e largojnë Messin nga Barcelona
Njoftohet se pretendenti i Barcelonës për ta fituar "Topin e Artë', Lionel Messi, është bërë lojtari më i paguar te Blaugranët duke lënë pas vetes Thierry Henry dhe Samuel Eto’o.
Henry dhe Eto’o janë konsideruar si lojtrët me paga më të larta në Camp Nou, mirëpo siç duket argjentinasi i ka tejkaluar të dy sulmuesit duke u bërë kështu lojtari më i paguar. Messi ka nënshkruar kontratë të re me Barcën e cila ishte përmbyllje e marrëveshjes së filluar në korrik të këtij viti, dhe kjo kontratë e bën atë më të paguarin në klub. Edhe pse nuk dihen shifrat e sakta të cilat e kanë siguruar kontratën, mirëpo mësohet se ajo është e vlefshme deri në vitin 2014, ndërsa Messi do të fitojë nga 10 deri në 14 milionë euro në vit, kurse nëse një skuadër dëshiron ta blejë atë duhet të paguajë 150 milionë euro.

Pirlo: Më mungon Liga e Kampionëve
Mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo, është i bindur se rosonerët sërish do të mund ta fitojnë skudeton, por thotë se ndjen mungesën e Ligës së Kampionëve.
Pirlo beson se Milani mund sërish të triumfojë në kampionatin italian, ndërsa thekson se i mungojnë ndeshjet në garën evropiane. “Në tri vitet e kaluara nuk kishim kontinuitet në ndeshjet e mira, por këtë vit qëllimi kryesor i yni është skudetoja dhe e dimë se për ta fituar ligën duhet të luajmë mirë edhe në përballje me kundërshtarë më të dobët”, thotë Pirlo. “Liga e kampionëve? Më mungon shumë, pasi që nuk është e njëjtë sikur garoni në Kupën UEFA. Sezonin e ardhshëm do të rikthehemi në Ligën e Kampionëve”, shprehet bindshëm mesfushori italian.

Tevez fajëson Fergusonin për mungesën e golave
Sulmuesi i Manchester United, Carlos Tevez, ka fajësuar trajnerin e ekipit, Sir Alex Ferguson, për mungesën e golave nga ai, duke thënë se i është dashur ta sakrifikojë instinktin e tij sulmues për hir të ekipit.
Arritja e Dimitar Berbatov nga Tottenhami, i cili shpejt e gjeti veten në ekipin e parë, dhe rikthimi i Ronaldos nga lëndimi, do të thotë se Tevez do të qëndrojë më shumë në stol dhe të humb rastet për gjetur rrjetën kundërshtare. “Nuk jam aq efektiv në zonë tashmë. Personi që është në ballë të golit, duhet të bëjë më shumë për ekipin se sa të shënojë gola. Ata duhet të luajnë më shumë për ekipin dhe mendoj se unë e kam sakrifikuar veten së fundi”, ka thënë Tevez. “Nuk jam aq i rrezikshëm. Është diçka të cilën e kam humbur. Duhet ta rikthej prapa. Jam mësuar të shënoj gola të bukur. Por diçka e çuditshme ka ndodhur”, ka shtuar argjentinasi.

Rooney: Dua t’i fitojmë të gjitha ndeshjet kualifikuese
Pasi që udhëhoqi Anglinë drejt fitores së katërt në kualifikimet për Botërorin 2010, ndaj Bjellorusisë, Wayne Rooney ka thënë se synon që ta mbyllë kualifikimin me një rekord perfekt, të gjitha ndeshjet fitore.
Sulmuesi i Manchester United shënoi dy herë në pjesën e dytë për t’i sjellë fitoren prej 3-1 Anglisë dhe për ta forcuar në maje të grupit 6. “Do të ishte mirë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet kualifikuese. Ndeshjet më të vështira, në Bjellorusi dhe Kroaci, tashmë i kemi tejkaluar dhe kemi nxjerrë pikë maksimale. Nuk shoh ndonjë pengesë pse të mos i arrijmë të gjitha fitore”, ka thënë anglezi.

Iniesta: Ishte një prej golave më të mirë
Andres Iniesta, i cili shënoi golin e barazimit në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Belgjikës, e ka përshkruar golin si më të mirin në jetën e tij.
Kampioni evropian ishte në disavantazh ndaj Belgjikës, pas shtatë minutash lojë, por në minutën e 36-të, Iniesta riktheu Spanjën në lojë. “Lëvizja ishte shumë e shpejtë dhe kisha vetëm disa sekonda të reagoj. E pashë se portieri më priste ta kthej topin, andaj vendosa të dribloj rreth tij”, ka detajizuar Iniesta. “Të gjitha golat janë të rëndësishëm. Ky ishte më i miri, për shkak të ndërtimit kolektiv dhe për mënyrën se si përfundoi dhe definitivisht ishte një prej golave të mi më të mirë në jetë”, ka shtuar spanjolli.

Shqipëria me dhjetë lojtarë ndal Portugalinë
Kombëtarja Shqiptare ka barazuar pa gola në Braga kundër Portugalisë së fuqishme, edhe pse gjithë pjesën e dytë luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit me kartonin e dytë të verdhë të Telit (42’).
Edhe pse ishte njoftuar se Haan do ta fillonte ndeshjen me dy sulmues, Kapllani dhe Berisha, holandezi ndërroi mendje pa filluar ndeshja, duke i besuar sërish vetëm Bogdanit në sulm të mbështetur nga Duro dhe Skela. Pjesa e parë ishte e baraspeshuar, ndërsa portugezët dominuan vetëm me një nuancë deri në minutën e 42-të kur u largua nga ndeshja me kartonin e dytë të verdhë Teli, lojtari i cili e kishte zëvendësuar Beqirin e dëmtuar (24’).
Përjashtimi i Admir Telit
Në gjysmë lojën e parë Shqipëria pati një rast të shkëlqyeshëm për të kaluar në epërsi, mirëpo krosimin e Klodian Duros nuk e shfrytëzuan as Bulku e as Vangjeli.
Pjesa e dytë i takoi plotësisht portugezëve duke pasur edhe epërsinë e lojtarëve, mirëpo edhe pse një grup lojtarësh të cilët luajnë në skuadrat më të forta evropiane, ata dështuan para lojtarëve të Përfaqësues Shqiptare dhe portierit të jashtëzakonshëm, Arian Beqaj.
Rasti i vetëm i Kuqezinjve në pjesën e dytë ishte pas inkuadrimit të Besart Berishës, i cili e kaloi gjithë mbrojtjen portugeze, mirëpo në fund u tregua egoist duke mos pasuar te Skela i cili ishte me portën e zbrazët.
Është kjo një pikë e artë e Shqipërisë në Grupin e Parë, e cila ngjitet në kuotën e pesë pikëve, po aq sa ka edhe Portugalia.

Skuadrat

PORTUGALIA: Quim; Miguel (Gomesh 75′), Pepe, B.Alves, P.Ferreira, J.Moutinho (Kuarezma 55′), R.Meireles, Danny (Nani 55′); C.Ronaldo, H.Almeida, Fernandez. Trajneri: K.Keiroz

SHQIPERIA: Beqaj; Beqiri (Teli 24′), Curri, Vangjeli, Agolli, Cana, E.Bulku, Lala, Skela, Bogdani (Vrapi 46′), K.Duro (Berisha 77′)