02 tetor 2008

LAJMET NEWS 02.10.2008


Adebayor: Van Persie është kyç për suksesin e Arsenalit
Sulmuesi i Togos, Emmanuel Adebayor, ka vetëm fjalë të mira për kolegun e tij, Robin van Persie, duke të thënë se nëse ai do të jetë në formë të mirë fizike këtë sezon, Arsenali do të mund të arrijë tek trofetë.Robin van Persie dhe Adebayor e kanë filluar shkëlqyeshëm sezonin e ri, duke e dëshmuar këtë edhe në ndeshjen kundër Portos, ku të dy shënuan dygolësha. “Kënaqemi kur luajmë së bashku, Robin është futbollist shumë i mirë. Në kokat tona kemi të njëjtat ambicie, t’i ndihmojnë këtij ekipi të fitojë diçka”, ka thënë Adebayor. “Ne përpiqemi të kuptohemi me telepati dhe kundër Portos treguam se mund të bëjmë diçka. Shpresojmë se do të jemi edhe më të mirë. Nëse Robin do të jetë i gatshëm fizikisht gjatë gjithë sezonit, atëherë do të kemi rast të bëjmë diçka”, ka përfunduar Adebayor.
*********************************************

Owen dëshiron të largohet nga Newcastle
Ditët e Michael Owen në Newcastle duket se janë të numëruara, pasi që sulmuesi anglez i ka ngrirë bisedimet për marrëveshje të re me klubin, deri në fund të sezonit.Kriza në Newcasle ndikon edhe tek futbollistët, të cilët të pakënaqur me atmosferën në klub janë në gjendje të largohen nga St James Park. Owenit i është ofruar marrëveshje e ri, nga e cila sipas informatave do të fitojë 105 mijë funte në javë, por ai do të presë të shohë interesimin e klubeve tjera, dhe pastaj të vendosë nëse do ta pranojë ofertën. Që nga një janari Michael Owen do të mund të negociojë i lirë me klubet e interesuara, të cilat dëshirojnë ta shohin atë në radhët e veta.
*********************************************

Berbatov: Deri në fund të karrierës në Manchester United
Sulmuesi i Manchester United, Dimitar Berbatov, ka deklaruar se dëshiron që karrierën e tij ta përfundojë në Old Trafford.“Nëse nuk do të mund të jem i lumtur këtu, nuk do të jem askund. Gjithçka është sikur më pat thënë Rayan Giggs. Ai këtu është që nga fillimi dhe nuk dëshiron të luajë diku tjetër. Unë jam këtu dhe nuk dua të shkoj askund”, ka thënë sulmuesi bullgar. “Ndonjëherë më ndodh të qëndroj në shtëpi dhe të mendoj, ‘Ej unë jam në Manchester United! Jam njeriu më me fat’. Kjo është gjë e mrekullueshme. Por duhet të vazhdoni të luftoni në çdo ndeshje”, ka thënë Berbatov. Berbatov shënoi dy golat e tij të parë me Manchester United në ndeshjen e fundit, në udhëtim tek Aalborg, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.
************************************************

Ferguson i interesuar për të riun turk Yildirim
Sulmuesi i ekipit turk Bursaspor, Serkan Yildirim, ka zbuluar se kampioni i Anglisë dhe Evropës, Manchester United, tashmë ka rënë në kontakt me të, për të marrë shërbimet e tij.18-vjeçari është një prej lojtarëve më të talentuar në futbollin turk dhe vazhdimisht është pjesë e kombëtares së të rinjve turk. Ai është anëtar i Bursaspor dhe golashënuesi më i mirë deri tash i kampionatit me katër gola në po aq ndeshje. “United ka rënë në kontakt me familjen time dhe me presidentin e klubit. Kur një klub me një reputacion të tillë interesohet për ju, duhet të mendoni mirë”, ka thënë Yildirim. Vlera e sulmuesi të ri turk mendohet të jetë afër 5 milionë funte.
***************************************
Mourinho: Inter do të jetë në rundin e ardhshëm
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka thënë se është 100% i sigurt se nerazurët do të plasohen në rundin e ardhshëm edhe krahas rezultatit të barabartë në ndeshjen e mbrëmshme kundër Werder Bremenit.
“Nuk jam i shqetësuar për shkak të fishkëllimave. Publiku gjithmonë është në të drejtë dhe është pjesa më e rëndësishme në secilin klub, andaj e respektoj mendimin e tyre”, ka thënë Mourinho. “Futbolli mund të jetë i vështirë për ta analizuar. Mbrëmë pash si Arsenali e mposhti Porton me rezultat 4-0, por në fillim të ndeshjes Porto mund të avanconte me 3-0. Në fund të gjithë menduar se Arsenali luaji ndeshje spektakolare”, ka shtuar Mourinho pas ndeshjes së mbrëmshme. “Kemi katër pikë dhe na presin edhe dy ndeshje me Anorthosis të cilat nuk do të jenë të lehta. Por jam 100% i sigurt se Inter do të jetë në rundin e ardhshëm”, përfundon trajneri portugez.
**************************************
Benitez lavdëron Gerrardin për golin e 100-të
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, e ka përshëndetur suksesin e Steven Gerrard dhe golit të tij të 100-të me fanellën e kuqe, i cili erdhi në ndeshjen e mbrëmshme përballë PSV Eidhoven. “100 gola janë gjithmonë një jubile i këndshëm, veçanërisht për një mesfushor. Ai është një prej lojtarëve ofensiv më të mirë në botë për lidhje dhe shpresoj se në të ardhmen do të shënojë edhe më shumë gola”, ka thënë Benitez. Benitez ka shprehur kënaqësinë edhe për golin e parë të shënuar nga Robbie Keane në fanellën e Liverpoolit. “Të gjithë flisnin për këtë, andaj ishte me rëndësi për të shënojë. Ndoshta njerëzit tash do të flasin për golin e tij të parë në Premierligë, megjithatë ai u shënua në listën e golashënuesve”, ka thënë Benitez.
************************************
Leo Messi i jashtëzakonshëm
Barcelona ka bërë një rikthim sensacional në fund të ndeshjes duke mposhtur Shakhtar Donetsk, të cilët avancuan 1-0 deri në minutën e 87. Takimi ndërmjet Sportingut dhe Baselit përfundoi në favor të nikoqirëve.
Njëri nga lojtarët më të mirë në botë, argjentinasi Lionel Messi u inkuadrua në ndeshje nga stoli për t’ua siguruar tre pikët Blaugranëve të cilët gjatë gjithë ndeshjes ishin në disavantazh prej një goli. Pa përfunduar pjesa e parë (44’) skuadra ukrainase, Shakhtar Donetsk, krijoi avantazhin kundër gjigantëve spanjoll me anë të Ilsinho. Mirëpo, në momentin kur gjithçka e favorizonte Shakhtarin për fitues të këtij takimi, doli në skenë Leo Messi i cili shënoi dy herë në fund të ndeshjes. Njëherë barazoi (87’) dhe në minutat shtesë shënoi edhe golin e dytë personal dhe të fitores për katalanasit. Takimi tjetër i Grupit C, ndërmjet Sporting Lisbon dhe Basel, ashtu siç parashikohej, u takoi vendasve, të cilët shënuan fitore me rezultat 2-0, me golat e Romagnolit (55’) dhe Derleit (86’).
***************************************
Liverpool mposht PSV-nё, Cana humbet
Sulmuesi irlandez Robbie Keane ka shёnuar golin e parё tё tij me fanellën e Liverpoolit, nё fitoren prej 3-1 tё klubit anglez ndaj PSV Eindhovenit, derisa Marseille i Lorik Canёs ka humbur nё fushё tё Atletico Madrid me rezultat 2-1.
Keane i ka dhёnё fund mungesës sё golave nё dhjetё ndeshjet e para, qё kur u transferua nga Tottenham. Goli i irlandezit erdhi pas 34 minutash lojё, po thuajse gjysmё ore pasi Dirk Kuyt kishte dërguar Liverpoolin nё epërsi me njё gol mё tё hershёm (5’). Kapiteni Steven Gerrard po ashtu pati njё festё mё tё veçanti, pasi qё shёnoi golin e 100-tё tё tij me Liverpoolin, qё erdhi nё minutën e 76-tё. Dy minuta mё pas Koevermans ngushton rezultatin, por kjo ishte e gjitha çfarë mund tё bёjnё mysafirёt. Nё ndeshjen tjetër tё grupit D, Atletico Madridi ka shёnuar fitore prej 2-1 ndaj Marseillet tё Canёs. Atletico udhëheq grupin me gjashtё pikё sa ka edhe Liverpooli, derisa Marseille dhe PSV mbeten nё dy pozitat e fundit pa asnjë pikё.
****************************************************
Interi barazon, Beqaj fitimtar
Kampionët e Italisë kanë barazuar në Giuseppe Meazza kundër skuadrës gjermane, Werder Bremen, ndërkohë që skuadra e Arjan Beqajt, Anorthosis Famagusta, ka shënuar fitore bindëse kundër nënkampionit të Greqisë, Panathinaikos.
Zikaltrit e Mourinhos nuk arritën më shumë se një barazim 1-1 kundër Werderit që nuk dorëzohej, edhe pse Interi shfaqi lojë më të mirë me plot raste, sidomos në pjesën e parë. Italianët shënuan që në minutën 13 me anë të Maicon, mirëpo nuk arritën ta mbajnë këtë rezultat deri në fund të takimit, pasi që i huazuari nga Chelsea te Bremen, Claudio Pizzaro, barazoi shifrat në minutën 62, për t’i dhënë shpresa skuadrës së tij të luftojë për një kualifikim të mëtutjeshëm. Takimi tjetër në Grupin B, ndërmjet Anorthosis Famagusta dhe Panathinaikos ka përfunduar me rezultat 3-1 në favor të ekipit nikoqir. Skuadra e portierit të Kombëtares Shqiptare, Arjan Beqaj, e ka fituar me komoditet këtë ndeshje pasi që arritën të shënojnë dy gola që në pjesën e parë dhe një në pjesën e dytë. Një autogol i Sarriegi (11’) ua dha avantazhin vendasve, të cilin e dyfishoi Dobrasinovic në minutën e 15. Mysafirët u munduan të kthehen në lojë pas ngushtimit të rezultatit nga Salpingidis (28’) nga penalltia, mirëpo vendasit shënuan edhe njëherë në pjesën e dytë (78’) për t’i dhënë fund dyshimit për fituesin.
***************************************************
Roma rikthehet pas disavantazhit, Chelsea ndalet nga Cluj
Skuadra nga kryeqyteti italian ka bërë një rikthim sensacional në 25 minutat e fundit të ndeshjes së vlefshme të Ligës së Kampionëve në Grupin A kundër Bordeaux.
Skuadra franceze avancoi me anë të Gourcuff që në minutat e para (19’) të ndeshjes duke e mbajtur këtë rezultat për një kohë të gjatë. Mirëpo, djemtë e Spallettit vazhdonin të luanin lojën e tyre, dhe pas shumë orvatjeve, në minutën 64 erdhi edhe goli i barazimit të cilin e realizoi malazezi Vucinic. Minutat e radhës i takuan brazilianit të shumëkritikuar, Julio Baptista, i cili shënoi edhe dy herë për Giallorossët (71’ dhe 83’) duke bërë që Roma të frymojë më lehtë pas asaj humbjeje të papritur në Olimpico kundër Cluj. Në takimin tjetër, skuadra e Cluj është treguar barrierë e pakalueshme edhe për Chelsean. Blutë e Londrës nuk arritën të shënojnë gol si mysafir të skuadrës rumune duke përfunduar takimin pa gola.
*****************************************************
Gangsterët rusë 'blenë' finalen e UEFA-s
Mediat spanjolle thonë se gangsterët rusë të arrestuar në Spanjë kanë deklaruar ta kenë "blerë" kupën e UEFA-s të fituar këtë vit nga Zenit St Petersburg.
Zenit ka mundur Glasgow Rangers 2:0 në finalen e majit, pasi që kishte mundur favoritin Bayernin e Munihut me 4:0 në gjysmëfinalen e mbajtur në St Petrsburg. Gazeta ABC tha se Gennadios Petrov, kreu i një bande të fuqishme ruse ka paguar diku 20 milionë deri 40 milionë euro për të "blerë gjysmëfinalen dhe finalen". Gazeta "El Pais" tha se Petrov gjatë një bisede telefonike të incizuar ka thënë se 50 milionë i janë paguar Bayernit. Ai nuk ka specifikuar valutën. UEFA ka thënë se do të hetojë këtë çështje.
*******************************************