08 tetor 2008

LAJME NEWS - 08.10.2008

Kaka: Messi duhet ta fitojë Topin e Artë
Fituesi i fundit i Topit të Artë, Ricardo Kaka, thotë se këtë vit favorit për ta fituar këtë shpërblim është ylli i Barcelonës, Lionel Messi.
Kaka thotë se Topi i Artë këtë vit duhet të gjendet në duart e Lionel Messi, edhe pse nuk do ishte e pamerituar nëse këtë e fiton edhe Cristiano Ronaldo. “Messi e meriton Topin e Artë. Ai është vërtet një superyll. Ronaldo po ashtu do të ishte një zgjedhje e mirë, por unë e shoh Messin si një pasues timin. Jam i befasuar nga aftësitë e tij për kontrollin e topit. Ai është një prej atyre futbollistëve të cilin gjithmonë do të dëshironit ta keni në ekipin tuaj”, ka thënë Kaka. Lionel Messi është vetëm 21-vjeçar, ndërsa tashmë ka 31 paraqitje për Argjentinën dhe afro 100 për Barcelonën. Shpërblimi Topi i Artë do të ndahet në dhjetor, ndërsa lista e kandidatëve do të publikohet në fund të muajit.

Shqipëria ngjitet për 19 vende në listën e FIFAs
Pas barazimit me Suedinë dhe fitores ndaj Maltës, kombëtarja kuqezi ka shënuar një ngritje prej plot 19 vendesh në listën e FIFAs, duke u gjendur këtë herë në vendin e 83-të.
Ky është suksesi më i mirë në tre muajt e fundit për Shqipërinë. Në qershor kuqezinjtë u renditën në vendin e 82-të, por në tre muajt e verës pësuan rënie për 20 vende (100, 101 dhe 102). Me ardhjen në stolin e Shqipërisë të Arie Haan, kombëtarja preki vendin e 73-të (në muajin shkurt), por pësoi rënie në muajt e radhës.Nëse kuqezinjtë arrijnë të nxjerrin rezultate pozitive edhe në ndeshjet e radhës, ndaj Hungarisë më 11 tetor, dhe ndaj Portugalisë më 15 tetor, Shqipëria mund të thyejë një rekord të ri, duke arritur ngritjen më të lartë në histori.
Renditja më e mirë e kuqezinjve është ajo e vitit 2006 (vendi 62), ndërsa më e ulëta në vitin 1997 (vendi 124).

Spanja vazhdon të kryesojë në listën e FIFAs
Kampioni i Evropës, Spanja, ka mbetur në krye të listës botërore të futbollit, derisa Brazili është ngjitur për dy vende dhe Rusia është rikthyer në top 10-shin, në publikimin më të ri të listës nga FIFA. Spanja kryeson me 1,643 pikë, duke u renditur e para, para Italisë (1,365) dhe finalistit të Euro 2008,Gjermanisë (1,336), në top treshin e parë që nuk ka ndryshuar. Brazili është ngjitur nga vendi i gjashtë në të katërtin me 1,280 pikë, duke i lënë prapa Holandën (1,258) dhe Kroacinë (1,223). Argjentina (1,200), Republika Çeke (1,111), Rusia (1,076) dhe Portugalia (1,075) mbyllin top 10-sin. Turqia ka rënë nga vendi i 10-të në të 13-tin, derisa Skocia ka pësuar rënie prej plot 10 vendesh, nga i 16-ti në të 26-tin. Ngritjen më të lartë e ka pasur Zelanda e Re, e cila është ngjitur për 57 vende, duke u gjendur këtë herë në pozitën e 54-të.

Pires: Villarreal mund ta fitojë La Ligën
Sipas mesfushorit francez Robert Pires, ekipi i Villarrealit është mjaft i mirë për ta fituar kampionatin spanjoll këtë sezon.
Vitin e kaluar Villarreal bëri befasinë, duke u renditur në vendin e dytë, prapa Real Madridit, por para Barcelonës. Për momentin ekipi është në vendin e dytë të tabelës, me pikë të barabarta me Valencian që kryeson. “Sigurisht, mendoj se mund ta fitojmë Primera Divisionin. Besoj në këtë, sepse sezonin e kaluar dëshmuam se mund të konkurrojmë me Real Madrid, duke përfunduar në pozitën e dytë”, ka thënë Pires. “Por, sezonin e kaluar bëmë gabime, i humbën ndeshjet kyçe kundër Almerias dhe Sevillas dhe nuk arritën ta tejkalojmë Realin. Tash ekipi ka një vetëbesim të më madh dhe më shumë përvojë dhe e dimë çfarë duhet të bëjmë në situata të tilla”, ka shtuar francezi.