Juve, “turnover” i detyruar ndaj Palermos
Të dielën pasdite, Juventusi do të kërkojë të lërë prapa tri barazimet e arritura në tri ndeshjet e fundit, por edhe situatën e vështirë që qarkullon këto ditë në ambientin bardhezi. Klaudio Ranieri kërkon medoemos një fitore bindëse për të larguar zërat e fundit mbi pankinën e tij, ku hijet e Çezare Prandelit dhe kandidatëve të tjerë seriozë fillojnë ta shqetësojnë jo pak atë. Pra me pak fjalë, ndeshja ndaj Palermos nuk do të jetë vetëm sfida e Amaurit dhe e “ish-ëve” të tjerë, por pak e shumë e të gjithë Juventusit. Fatkeqësisht infermieria e bardhezinjve në ditët e fundit ka pasur një fluks të madh, ku përveç të dëmtuarve të rëndë, Andrade e Zebina, janë shtuar edhe Xhorxho Kielini e Nikola Legrotalje, të kthyer me probleme pas transfertës në Ligën e Kampioneve kundër BATE Borisovit. Në këtë mënyrë, të vetmit qendërmbrojtës të mbetur në dispozicion të Ranierit janë Knezeviç e Melberg, ndërkohë që për krahun e majtë janë në balotazh Molinaro e De Çelje dhe në të djathtin, Grigera e Salihamixhiç. Gjithsesi, problemet nuk përfundojnë këtu. Paraqitjet e fundit jo shumë pozitive të Del Pieros e Nedvedit kanë bërë që tekniku bardhezi të mos besojë për sfidën ndaj Palermos te dy veteranët e skuadrës. Ata do të zëvendësohen respektivisht nga Iakuinta e Xhovinko, duke shpresuar që këtë herë Ranieri të ketë rrezikuar drejtë me zgjedhjet e tij.