10 shkurt 2010

Zakeroni rinon Juven, “senatorët” në rrezik

Në prag të ndeshjes me Xhenoan, trajneri mund të bëjë ndryshime. Groso e Del Pieros më të rrezikuarit

Super-benzinë në motorin e Juventusit. Zakeroni po mendon të rinovojë formacionin e tij, në kufijtë e një organike akoma të gjymtuar nga dëmtimet dhe pezullimet. Prandaj, lamtumirë vendi titullar: në prag të ndeshjes Juventus-Xhenoa të dielën, një farë “play off”-i për Ligën e Europës, janë të gjithë në provim, përfshirë dhe “senatorët”.

Lojtari, që rrezikon më shumë se kushdo, është Groso, praktikisht i parakaluar nga De Çelje, 9 vjet më i ri, më dinamik dhe më i përshtatshëm të dialogojë me Diegon në fushë. Në mesfushë me Felipe Melon e pezulluar, Zakeroni do të detyrohet të luajë me dyshen e formuar nga Kandreva e Sisoko, të dy 47 vjeç, ndërsa të rikthyerit Markizio e Salihamixhiç, thuajse e sigurt, do të ulen në stol. Mundësi revolucioni edhe në sulm.

Pavarësisht se Amauri ka tri muaj që nuk shënon, ai që rrezikon më shumë është kapiteni Del Piero. Në vend të tij Zak-u mediton të aktivizojë të riun Paoluçi, 11 vjet më i ri dhe shumë entuziast (dhe frymë) në fushë. Dje, pas stërvitjes së pasdites, ish-sulmuesi i Sienës qëndroi në fushë për një stërvitje ekstra më qëllim goditjet në portë.

Do të ketë ndonjë shans më shumë edhe për Xhiovinkon, 23 vjeç, i cili nga i harruar në stol (ka qenë edhe i dëmtuar), mund të gjejë hapësirë në krah të Diegos, në një skemë të mundshme 3-4-2-1, ose si sulmues i dytë në mbështetje të Amaurit.

Por duke pritur rikthimet e Trezegesë dhe Iakuintës, mund të kthehet i vlefshëm për ‘Zonjën” edhe Imobile. “Bomberi” i ri ka shënuar 11 gola me skuadrën e të rinjve bardhezi. Kësisoj, kriza është bardh e zi: fuqia dhe energjia vlejnë më shumë se përvoja.

Nën vëzhgimin e kujdesshëm të “Triadës” së re, Blank-Betega-Seko, Zakeroni, dje pasdite e drejtoi stërvitjen me dyer të hapura. Pas 45 minutash në palestër, grupi bardhezi zbriti më pas në fushë. Lajme të mira vijnë nga infermieria juventine: me përjashtim të Iakuintës, dje mungonin vetëm Bufon dhe Sisoko.

Stërvitje e diferencuar për Markizio, Poulsenin e Trezegenë. Me këtë të fundit duhet të rikthehet për sfidën e dyfishtë ndaj Ajaksit për Ligën e Europës sikundër dhe Kamoranezi. Vetëm Kanavaro qëndroi në palestër: dëmtimi që pësoi në pjesën e dytë në Livorno ka qenë një shqetësim jo serioz muskular në kofshën e djathtë.