10 shkurt 2010

Dëmtimi mister Iakuinta nuk luan që prej 4 muajsh!

Në sezonin për t’u harruar të Juventusit, është për t’u theksuar edhe kalvari i pabesueshëm i Vinçenco Iakuintës. Sulmuesi kalabrez, që e nisi sezonin me shumë gola, nuk luan që prej 24 tetorit. Gjatë një stërvitjeje, numri 9 bardhezi, pësoi një këputje të ligamenteve të gjurit, për të cilin u operua pas tri ditësh. 40 ditë pushim u tha atëherë dhe Iakuinta sërish në fushë në fillim të dhjetorit. As që bëhet fjalë! Dhjetori iku sikundër dhe janari dhe sërish rikthimi në fushë i Iakuintës u harrua.

Sipas klubit bardhezi, sulmuesi mund të kthehet në fushë pas dy javësh, pasi të ketë kaluar problemin në kapsulën e gjurit. Iakuinta po zhvillon një punë mbi fuqizimin e muskulit, toni i të cilit është ulur gjatë periudhës së pushimit. Në këtë aspekt, sulmuesi 30-vjeçar nuk duhet të vonohet shumë për të shmangur edhe mungesën e mundshem në Botërorin e qershorit.