23 shkurt 2010

Titulli Roma në kor: Të qëndrojmë me këmbë në tokë

Asnjë nuk e thotë, por të gjithë besojnë. Roma është vetëm 5 pikë larg Interit, ndonëse Ranieri është i pari që thotë se kampionati s’është rihapur. Diplomatë për këtë temë janë pak a shumë edhe lojtarët verdhekuq. Si mbrojtësi brazilian Huan: “Flitet shumë për këtë përmbysje, por është akoma shpejt. Duhet edhe një muaj nga takimi direkt me Interin”.
Si të thuash: të presim sfidën e 28 marsit pastaj të shohim… Më të kujdesshëm janë edhe Burdiso dhe De Rosi: “Nuk mund të mendojmë për titullin”, - tha mbrojtësi argjentinas, ndërsa “kapiteni i së ardhmes” nënvizon: “Interi është i paarritshëm. Jemi 5 pikë larg dhe ata kanë një organikë të madhe, që ka arritur të mos lodhet, duke luajtur edhe me 9 lojtarë kundër 11-ve si në sfidën ndaj Sampit”. Ndërsa Toti me Tadein i marrin gjërat me radhë: “Të mendojmë një herë për Panathinaikosin e pastaj Napolin. Për përmbysjen ka kohë”.