19 shkurt 2010

Tirana –Laçi, derbi për vendin e tretë

Dy skuadrat përpara ndeshjes së ditës së shtunë në “Qemal Stafa” i ndan vetëm një pikë pas 21 javësh të luajtura (Tirana 32, Laçi 31 pikë).
Bardheblutë do të presin të shtunën kurbinasit në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në një ndeshje shumë të rëndësishme për vendin e tretë të Kategorisë Superiore në përfundim të fazës së dytë. Vetëm një pikë është distanca që i ndan dy ekipet pas 21 javës të luajtura.

Sfida e fazës së parë përfundoi me fitoren minimale të Laçit, pas autogolit të qendërmbrojtësit bardheblu, Tefik Osmani. Futbollisti korçar nuk do të luanë në përballjen e nesërme, për shkak të një helmimi me ushqimin. 24-herë kampionët e vendit gjenden 7 pikë larg Besës së vendit të dytë dhe tripikëshi ndaj laçianëve (surprizës së kampionatit) është detyrim për të mos e thelluar më tepër këtë distancë. Tirana vjen në këtë përballje pas dy humbjeve rresht: 0-1 në shtëpi me Vllazninë dhe 1-0 me Shkumbinin në Peqin javën e kaluar.

Superliga, java e 22-të:

20.02.2010
Ora 13:00 Besa-Teuta
Ora 14:00 Gramozi-Vllaznia
Ora 14:00 Tirana-Laçi

21.02.2010
Ora 13:00 Apolonia-Dinamo
Ora 14:00 Flamurtari-Kastrioti
Ora 14:00 Skënderbeu-Shkumbini