Stuttgarti ishte nikoqir i Barcelonës në Mercedes-Benz Arena për të zhvilluar takimin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, takim i cili përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.
Në gjysmën e parë të ndeshjes, kampioni në fuqi i garës më prestigjioze të futbollit evropian për klube, Barcelona, ishte skuadër inferiore kundrejt ekipit që mban vendin e nëntë në Bundesligan gjermane.
Stuttgarti pati më shumë raste në 45 minutat e para, shënoi një gol dhe iu mohua një penallti.
Një krosim të bukur të Gebhart e shfrytëzoi lojtari më i rrezikshëm i vendasve në pjesën e parë, Cacau, i cili shënoi me kokë në portën e Valdes (25’).
I vetmi rast për t’u përmendur i Blaugranëve në pjesën e parë ishte kur pas goditjes së lojtarit më të mirë në botë, Leo Messi, dhe intervenimit të portierit Lehman, topi goditi shtyllën (40’).
Në fraksionin e dytë të lojës, tempi i vendasve filloi të bjerë dalëngadalë, ndërsa mysafirët shtuan numrin e sulmeve në drejtim të Jens Lehman.
Në minutën e 52-të, pas një gabimi të mbrojtësve të Stuttgartit erdhi goli i barazimit, të cilin e realizoi Zlatan Ibrahimovic. Megjithëse xhirimet treguan se paraprakisht kishte pasur pozitë jashtë lojë, gjyqtari e pranoi golin.
Edhe pse ky rezultat nuk e favorizon ekipin gjerman, duhet pranuar se Stuttgarti zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë përballë skuadrës më të mirë në botë, e cila nuk ishte në ditën e saj më të mirë.
Sido që të jetë, takimi që do të zhvillohet në Camp Nou do të tregojë se kush do të vazhdojë në çerekfinale.