14 shkurt 2010

Runei: Kundër Milanit duhet kujdes

Disa ditë më parë, Uein Runei i ka bërë komplimente Klarenc Sedorfit, duke e cilësuar si “ndoshta lojtari më i mirë kundër të cilit kam luajtur ndonjëherë”. Dje në saitin zyrtar të Mançester Junajtid janë publikuar deklarata të tjera të sulmuesit anglez: “Milani ka shumë lojtarë që mund të shënojnë. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm. Kanë Pirlon e Bekhamin, që janë kampionë të mëdhenj. Edhe Ronaldinjo kur është në formë është i papërmbajtshëm. Kohët e fundit kam parë se ka fituar çmimin si “lojtari i dhjetëvjeçarit”, dhe kjo tregon sesa talent ka ai. Duhet të jemi në maksimumin e formës për të mposhtur kuqezinjtë”, ka thënë Runei.