13 shkurt 2010

Roma shkatërron Palermon

Roma ka shënuar fitore të lartë me rezultat 4-1 ndaj Palermos në Olimpico, për të rimarrë pozitën e dytë të tabelës së Serie A.
Të zgjedhurit e trajnerit Claudio Ranieri kaluan në epërsi që në pjesën e parë me anë të golit të Matteo Brighi pas 33 minutash lojë. Julio Baptista dyfishoi rezultatin për vendasit në minutën e 53-të, nëntë minuta para se Brighi të shënojë edhe golin e tij të dytë (62’).
Mysafirët e ngushtuan disavantazhin falë penaltisë së shndërruar në gol nga kapiteni Fabrizio Miccoli, por romakët shënuan edhe një herë me anë të John Arne Riise.
Me tre pikët e reja Roma ngjitet në pozitën e dytë me 47 pikë, dy më shumë se Milani që ndodhet në pozitën e tretë me një ndeshje më pak.