10 shkurt 2010

Ligë 1, shtyhet ndeshja Bordo-Okser

Ndeshja e Ligës 1 mes Bordosë dhe Okserit është shtyrë në mënyrë që t’u jepet mundësia kampionëve të Francës që të përgatiten për ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Olimpiakosit. Vendimi u mor nga drejtuesit e kampionatit “në favor të futbollit francez”.
Bordo-Okser ishte planifikuar të luhej më 20 shkurt, tri ditë para ndeshjes së parë për 1/8-t e finaleve të Championsit, Olimpiakos-Bordo. “Zhirondinët”, që janë të përfshirë edhe në dy Kupat e Francës, kanë pasur një kalendar të tillë që do t’i detyronte të luanin pesë ndeshje në harkun e 13 ditëve. E fundit do të ishte më e rëndësishmja, për Ligën e Kampionëve në Greqi.