09 shkurt 2010

Lëvizja e Juves: Ikën Amauri, vjen Pacini

Vështirësitë e këtij sezoni të bëjnë të mendosh se ndërtimi i Juventusit të ardhshëm do të fillojë nga sulmi, më konkretisht nga qendërsulmuesi.

Në këtë mënyrë, emri më i mundshëm për t’i dhënë lamtumirën “Zonjës” është Amauri. Braziliani ka rezultuar një dështim për bardhezinjtë në këtë sezon dhe gjithashtu ka oferta të kënaqshme nga kampionati anglez dhe ai spanjoll (Totenhemi dhe Valencia). Kjo është një tjetër arsye që sezonin e ardhshëm ai të ndryshojë mjedis.

Nga ana tjetër, emri më i mundshëm për të plotësuar hapësirën e krijuar nga largimi i Amaurit është bomberi italian Xhanpaolo Pacini. Sulmuesi po zhvillon një sezon të mirë me Sampdorian dhe në rast të një oferte të kënaqshme nga Juventusi, drejtuesit e klubit do të ishin të gatshëm ta linin të lirë. Sepse i riu Nikola Poci shihet nga të gjithë si një pasardhës i denjë i Pacinit te Sampi.