09 shkurt 2010

Policë sigurimi anti-infarkt për tifozët spanjollë

Falë një iniciative të “BBVA”-së, bankës spanjolle që sponsorizon La Ligën dhe Segunda Divizionin, tani e tutje tifozët iberikë do të jenë më të sigurt nga problemet e zemrës në stadiume.Me anë të një njoftimi banka bën të ditur se do t’i pajisë të gjithë tifozët e kategorisë së parë dhe të dytë në Spanjë, me një policë sigurimi anti-infarkt. Në këtë paketë do të përfshihen automatikisht të gjithë spektatorët në stadium që kanë një biletë të rregullt abonimi.
Sigurimi përfshin mbulime deri në 25 mijë euro në rast vdekjeje apo invaliditeti të përhershëm, në rast se këto ngjarje ndodhin në intervalin një orë para fillimit të ndeshjes, deri në përfundim të saj. Sipas njoftimit të bankës, sigurimi do të fillojë të aplikohet duke filluar nga java e ardhshme dhe do të mbulojë rreth 500 mijë persona çdo javë.