18 shkurt 2010

Kampionati Shqiptar ne GrandeJuve

Dinamo e etur për trofe, 11 blu sefte

Në organikën e Dinamos janë shumë futbollistë që titullohen për herë të parë
Të gjithë mund ta përkufizojnë një skuadër të frikshme, me eksperiencë, pragmatiste dhe rekordmene. Dinamo e sezonit 2009-2010 meriton çdo epitet, edhe pse për çudi të të gjithëve, të njëjtat zëra që aludonin gjatë rrugës për favorizime të “xhaketave të zeza” ndaj bluve kryesues, tashmë pas përballjes direkte
Dinamo-Besa, 1-0, kanë vendosur “silenciator” dhe në një farë mënyrë janë “përulur” përpara statistikave “të çmendura” të skuadrës së drejtuar nga Shkëlqim Muça. Dinamo në 21 javë ka mbledhur plot 54 pikë, kundrejt 39 të ndjekëses më të afërt Besa. 17 fitore, 10 në “shtëpi” dhe 7 në transferta të mundimshme, janë këto të dhëna të një ekipi që nuk di të ndalet. Duan apo s’duan zërat e ndryshëm, statistikat e bluve “të rinj” mundin çdo aludim dhe deklaratë.
Dinamo në 21 javë selekton edhe 3 barazime, 1 në Tiranë (përballë Laçit) dhe 2 jashtë fushe (në Shkodër dhe në Korçë). Humbja e vetme në kampionat ka ardhur në një fushë të baltosur, jashtë çdo standardi, si ajo e Peqinit, por gjithsesi tashmë ajo i përket arkivit.
Dinamovitët e kanë thjesht një formalitet festën e titullit kampion. Në radhët e bluve ka disa futbollistë të etur për këtë trofe, duke qenë se më parë s’e kanë fituar asnjëherë. Ky fakt mund të ketë qenë edhe një nga shumë shtysat që Dinamo të jetë “e pamëshirshme” në kampionat. Duke i marrë me radhë futbollistët e Dinamos, medaljen e kampionatit në murin e shtëpisë të varur e kanë: Elvis Kotorri, Arian Pisha, Nertil Ferraj, Papa Diop, Igli Allmuça, Bekim Kuli, Alban Hoxha dhe Roland Peqini.
Disa prej tyre kampionë me Dinamon gjatë sezonit 2007-2008, por ka edhe si kapiteni Pisha dhe portieri Elvis Kotorri, që e kanë shijuar më parë këtë trofe gjatë karrierës së tyre sportive. Ndërkohë që lista e lojtarëve të etur për ta bërë sefte më këtë trofe është më e gjatë. Janë plot 11 futbollistë në organikën e Dinamos, që kanë qenë dyfish të motivuar për të arritur titullin kampion, i cili do të jetë edhe i pari në karrierë.
Erion Xhafa, Lukas Malakarne, Renato Malota, Marko Putinçanin, Nikolas Del Monte, Gentian Muça, Elis Bakaj, Fatjon Sefa, Rafael Soza, Emilian Vila, Maksimiliano Timpanaro. Festa do të jetë njësoj për të gjithë, por këta 11 kanë më tepër mistere brenda tyre deri në momentin që kapiteni Arian Pisha do të ngrejë në qiellin blu titullin e 18-të të historisë 60-vjeçare në futbollin shqiptar të skuadrës së Dinamos.

Malakarne: Dinamo s’ka pse të bëjë “dhurata”

Argjentinasi Lukaj Malakarne është një nga “shtyllat” kryesore të mbrojtjes dinamovite, jo vetëm me lojën ofensive, por edhe me golat e tij decizivë që ka shënuar (të gjithë me kokë). Edhe pse kampionati tashmë duket i përfunduar, Malakarne mendon se llogaritë në kampionat ende s’janë mbyllur. “Për mua ende jo, sepse ka dhe shumë ndeshje deri në përfundim të këtij sezoni.
Sot për sot futbolli ka shumë surpriza. Gjithçka varet vetëm nga ne. Dhe do të marrë fund seriozisht nëse do të vazhdojmë të impenjohemi seriozisht në çdo ndeshje. Skuadra jonë nuk ka pse të bëjë dhurata. Eshtë eksperienca ime e parë si profesionist dhe e konsideroj shumë të bukur. Besoj se do të më ndihmojë të eci përpara. Për mua nuk është çudi shënimi i golit. Ajo dihet që çdo lojtar ka pikën e tij të fortë. Unë shquhem për goditjet me kokë, ndaj dhe shënoj,”- e mbyll prononcimin e tij nr.2 i bluve, Lukas Malakarne.

Dinamo kërkon “bis”-in në Kupë

Dinamo e rekordeve të këtij sezoni futbollistik, mbas “hipotekimit” të titullit të 18-të, kërkon edhe fitimin e Kupës së Shqipërisë. Përballë dinamovitëve do të jetë Shkumbini, i cili i ka shkaktuar humbjen e vetme në kampionat Dinamos. Sfida e parë do të zhvillohet në Peqin (ky takim është shtyrë një herë për shkak të terrenit të rënduar), ndërkohë që ndeshja e kthimit në “Qemal Stafa”.
Trajneri Shkëlqim Muça, ka kërkuar të bëjë “bis” për herë të parë në një sezon me skuadrën e Dinamos, pasi gjatë karrierës së tij sportive si trajner s’ka mundur t’i fitojë të të gjitha në një sezon. Nëse diçka e tillë arrihet nga Dinamo, edhe pse është ende herët për të folur, atëherë Dinamo do të arrijë një tjetër rekord, pasi që nga sezoni 1998-1999, kur Tirana arrinte të fitonte edhe kampionatin edhe kupën, asnjë skuadër s’ka arritur t’i sigurojë të dy titujt në fjalë.

Gjondeda: Në Vlorë na vlen edhe një pikë

Duket se rezultati i arritur në ndeshjen me Apoloninë, tashmë i përket së kaluarës dhe vëmendja është përqendruar totalisht te ndeshja përmbyllëse e fazës së dytë ndaj Flamurtarit, e cila do të zhvillohet këtë fundjavë në Vlorë.
Një ndeshje e konsideruar e vështirë nga drejtuesit e skuadrës krutane, për vetë pozitat që ka kundërshtari në renditje. Të dyja skuadrat do të luftojnë fort për të arritur objektivat e tyre. Në kampin krutan situata duket e mirë, pas mërzisë së shkaktuar nga rezultati i një javë më parë, që ka kaluar. “Nuk kemi përse ta mbajmë mendjen te barazimi i arritur në ndeshjen me Apoloninë, një gjë e kaluar nuk mund të kthehet më.
Ndihemi të motivuar për të dhënë maksimumin në ndeshjen e radhës. I dimë vështirësitë që ka ndeshja me Flamurtarin, por edhe ne jemi të vendosur për të arritur objektivin. Do të ishim të kënaqur sikur të marrim qoftë edhe një pikë në transfertën vlonjate. Futbolli ka gjithmonë të papritura. Ashtu siç na ndodhi një javë më parë ndaj Aplonisë në fushën tonë, kjo mund të përsëritet këtë javë në Vlorë. Ju deklaroj se do të luajmë hapur, madje do të jemi kërcënues në portën vlonjate. Mundësitë janë, pasi grupi që kemi në skuadër e mundëson një gjë të tillë,” - do të shprehej plot siguri mesfushori i Kastriotit, Gentian Gjondeda.

Nallbani: Laçi, ndeshja e sezonit për Tiranën

“Tata” e vlerëson mjaft kundërshtarin e radhës dhe e ka të qartë objektivin, minimalisht vendi III
Pas humbjes në Peqin, situata në kampin bardheblu duket alarmante për vetë faktin se tashmë ekipi i drejtuar nga dyshja Sengla-Muka, nuk e ka aspak të lehtë edhe vendin e 3-të. Themi kështu pasi në fundjavë në “Qemal Stafa” bardheblutë presin ekipin e Laçit, që këtë sezon ka “oreks” në kategorinë superiore për të shkuar sa më larg.
Portieri Blendi Nallbani, dje, në një prononcim për “Sportin shqiptar” në lidhje me sfidën e radhës, tha: “Jemi në një pozicion aspak komod në tabelën e klasifikimit, pas humbjes që pësuam në Peqin. Tashmë rrezikojmë edhe vendin e 3-të në renditje, ndaj duhet medoemos që të fitojmë në sfidën me Laçin këtë fundjavë, që momentalisht është rivali ynë direkt për në Kupat e Europës. Kjo është ndeshja e sezonit për Tiranën.
Laçjanët kanë një ekip të fortë dhe kanë ditur të fitojnë jo vetëm brenda fushe, por edhe jashtë me ekipet e mëdha, ndaj duhet të bëjmë kujdes, pasi për momentin është një nga skuadrat më në formë të superligës. Me përjashtim të qendërmbrojtësit Osmani, i cili për arsye shëndetësore do të mungojë ndaj kurbinasve, stafi teknik i bardhbluve do ta ketë të gjithë “ekuipazhin” në dispozicion.
Ndaj synimi ynë i vetëm janë tri pikët, nuk na falet asnjë rezultat tjetër, edhe pse luajmë pa tifozë dhe do ta kemi pak të vështirë, pasi gjithnjë ata me mbështetjen e tyre na kanë dhënë shtysë në takimet delikate. Dihet që pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, me Besën në Kavajë, “Tata” është paragjykuar nga drejtuesit e klubit. Ndaj kjo duket se nuk është përtypur aspak mirë nga “gardiani” i 24 herë kampionëve.
“Pas ndeshjes me Besën, njerëz që i qëndrojnë pranë presidentit Halili kanë folur me mllef për mua. Mirëpo edhe pse jam në këtë moshë, të binden të gjithë se po kaloj një formë mjaft të mirë, edhe pse dikujt kjo mund të mos i pëlqejë. I premtoj tifozerisë bardheblu se ndaj Laçit do ta ruaj portën të paprekur edhe për të mbyllur “gojët e liga”, që nuk besojnë te Nallbani”.
Në mbyllje të fjalës së tij ai foli edhe për rikthimin pranë stafit të Tiranës të Luan Senglës. “Profesor “Lushku” ka dalë nga kjo familje dhe mendoj se ishte zgjidhja e duhur për momentin. Shpresoj që të jetë këmbëmbarë dhe të fitojmë të shtunën,” - përfundoi prononcimin e tij portieri i bardhebluve, Blendi Nallbani.

Sengla-Muka, stërvitje me grup të cunguar

Dje, stafi bardheblu nuk i ka pasur të gjithë lojtarët në dispozicion. Nën urdhrat e dyshes Sengla-Muka nuk kanë qenë 4 kuqezinj, Lila, Sefa, Muzaka e Bici, të cilët janë thirrur nga trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, për miqësoren me Kosovën.
Katër bardheblutë pritet që sot t’i bashkohen pjesës tjetër të ekipit. Ndërkohë, Luan Sengla, i cili vetëm ditën e martë iu bashkua stafit të skuadrës së bardhebluve, gjatë këtyre seancave, krahas “gardës së vjetër”, duket se po i kushton vëmendje edhe më të rinjve që premtojnë, aktualisht kontigjent i bardhebluve. Ai ka afro 5 vite që ka punuar me ekipe të rinjsh dhe është një njohës i mirë i talenteve këtë e ka treguar edhe kur drejtonte më parë ekipet e Ilir-Vikingut dhe Olimpikun e Tiranës.

Osmani në siptal, rrezikon sfidën me Laçin

Ka tri ditë që në seancat stërvitore të skuadrës së Tiranës mungon edhe qendërmbrojtësi shtatlartë Tefik Osmani. Flitej se lojtari kishte marrë leje pranë stafit teknik, por dje është mësuar se Osmani është shtruar në spital, pasi ka kaluar një gjendje virale. Kështu ai rrezikon që të aktivizohet në sfidën me Laçin.

Para kurbinasve rriten “dozat” e ngarkesës

Bardheblutë, në prag të sfidës me laçjanët, janë duke u përgatitur me dy seanca në ditë, duke rritur kështu “dozat” e ngarkesës. Ashtu si dy ditët e kaluara, edhe dje paradite kanë zhvilluar vrapime nga Kodrat e Liqenit Artificial, ndërsa pasdite kanë bërë ushtrime me topin në kalçeton që ndodhet në mjediset e “Skënder Halilit”.

Vllaznia në Pogradec, përgatitet për Gramozin

Kuqeblutë kanë lënë Shkodrën dhe janë duke u stërvitur në Pogradec për ndeshjen e radhës në Ersekë
Ekipi shkodran i ka kushtuar rëndësi të madhe ndeshjes
së radhës me Gramozin. Pikërisht për këtë arsye, për ta përgatitur skuadrën ashtu siç duhet, stafi drejtues i Vllaznisë ka vendosur që ta largojë atë nga Shkodra. Arsyet pse është vepruar kështu janë dy.
E para, për ta lënë skuadrën të përgatitet në qetësi për këtë sfidë, dhe e dyta, për ta përshtatur afërsisht me kushtet ku do përshtaten me kushtet atmosferike që do të gjejnë në Ersekë. Ka ndodhur kështu, sepse në Shkodër problem më i madh nuk është bora, por shiu. Pikërisht prej këtij të fundit edhe seancat stërvitore të këtyre ditëve nuk janë zhvilluar ashtu siç duhet.
Përkundrazi, ka pasur jo pak problem në zbatimin e programit të trajnerëve. Duke qenë kështu, është vendosur për t’u nisur sot drejt Pogradecit. Do zhvillohet edhe një seancë në drekë në Shkodër dhe më pas ekipi do të niset drejt Pogradecit.
Atje do të sistemohen në njërin nga hotelet e qytetit dhe të premten ndërkohë do të zhvillohet një seancë në stadiumin e këtij qyteti dhe pastaj do të merret rruga për në Ersekë. Qëndrimi në buzë të liqenit konsiderohet një përafrim i kushteve atmosferike që do të gjejnë në juglindje të vendit dhe, për këtë arsye, trajneri Martini e ka parë më të arsyeshme të veprojë kështu.
Ndeshja me Gramozin konsiderohet shumë e vështirë, por më i vështirë se kundërshtari, shkodranët duket se do ta kenë me terrenin dhe motin, në të cilin do të luhet kjo ndeshje. Ata nuk janë mësuar të luajnë në borë dhe këtë e panë në ndeshjen e kupës me Skënderbeun në Korçë, ku jo vetëm e patën të vështirë të ambientohen me fushën, por edhe me të ftohtin tepër të madh. Madje vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit mezi u prit dhe ata përfunduan me vrap në dhomat e zhveshjes.
Për të mos ndodhur kështu edhe këtë herë, edhe ngaqë rëndësia e ndeshjes është më e madhe, kuqeblutë duan të ambientohen sa më shumë me këtë të ftohtë, sepse e kanë të qartë se në ç’kushte do të luajnë në Ersekë. Askush në kampin shkodran nuk është duke u marrë me mungesat që kanë në formacion, por me përgatitjen e kësaj skuadre për t’u përballur me të tilla kushte. Do ta bëjnë këtë gjë edhe në Pogradec dhe mbase një strategji e tillë do të rezultojë e vlefshme.
Duke filluar nga presidenti Fushaj, trajneri Martini dhe më pas të gjithë futbollistët, vetëm merakun e fushës dhe kushteve atmosferike kanë pasur në këtë pragndeshje të radhës, e cila do përcaktojë edhe pozicionin e tyre përfundimtar në renditje në fund të fazës së dytë, por me shumë siguri tashmë ky fat është përcaktuar dhe Vllaznia është në gjashtëshen e dytë.

Kuqeblutë, me mungesa në stërvitje

Në stërvitjen e djeshme, që është zhvilluar në fushën e Shtojit, në dispozicion të trajnerit Martini nuk kanë qenë të gjithë futbollistët. Kjo ngaqë dy kosovarët Nallbani e Leci, si dhe shkodrani Bala kanë qenë të angazhuar me ekipet kombëtare për miqësoren e djeshme që është luajtur në Prishtinë. Madje bashkë me ta ka udhëtuar edhe presidenti Valter Fushaj.
Stafi drejtues i kuqebluve ka pasur jo pak merak te këta tre futbollistë, me frikën e ndonjë dëmtimi të mundshëm, çka do të ishte një dëm i madh për ta, sepse alternativat për ndeshjen me Gramozin do të zvogëloheshin edhe më shumë. Stërvitja e djeshme është zhvilluar në kushte aspak të përshtatshme, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut që kanë rënë gjatë këtyre ditëve.

Korçarët të bindur: Fitojmë me Shkumbinin

Terrenet prishin sërish planet e Skënderbeut, ndërkohë që trajneri Josa bëhet me dhimbje koke
Sërish janë prishur planet e bëra nga trajneri Mirel Josa për ditën e djeshme, ku kishte planifikuar që të zhvillonte një ndeshje kontrolli. Edhe gjatë ditës së djeshme shirat e shumtë nuk kanë pushuar në qytetin juglindor, duke e bërë krejtësisht të pamundur stërvitjen e Skënderbeut në terren. Në këtë mënyrë, stërvitja e planifikuar për dje në orën 11:00 është zhvilluar në orën 14:00. Josa me të tijtë edhe dje është mbyllur në kalçeto, ndërkohë që me të drejtë njëshi i pankinës korçare është i shqetësuar për mungesën e stërvitjeve të të tijve në terren të hapur.
Të gjithë në Korçë tashmë e kanë përqendruar mendjen vetëm te ndeshja e radhës që Skënderbeu do të luajë në shtëpi, ndaj Shkumbinit, një 90-minutësh që duket se do të jetë si një “finale” për kuqebardhët, pasi në Korçë nuk do të pajtohen qoftë edhe me një barazim. Madje, si drejtuesit e ekipit, stafi teknik, futbollistët dhe gjithë tifozëria korçare, këtë javë kërkojnë “kokën” e Shkumbinit, pasi për Skënderbeun, qoftë edhe një rezultat tjetër, do të thotë që t’i priste shpresat për të qëndruar në superligë. Sidoqoftë, pavarësisht mungesës së stërvitjeve në terren, trajneri Josa ka shumë besim te të tijtë dhe përsëri edhe ndaj peqinasve do të ketë ndryshime në fushë, ku pritet të debutojnë edhe emra të rinj, kryesisht lojtarë të huaj.
Në pritje të ndeshjes së radhës kapiteni i Skënderbeut, Stavrion Lako, një nga lojtarët që mori notën më të lartë në ndeshjen e fundjavës së kaluar në Shkodër, thotë: “Nuk ka diskutim që kjo javë është më shumë se vendimtare për fatet e Skënderbeut. Do të jetë një ndeshje “finale” për ne në fushën tonë dhe kam mendimin se jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët e Skënderbeut do të japin “shpirtin” në fushë. Na mungojnë prej shumë e shumë javësh fitoret dhe them se këtë javë nuk do të gabojmë në fushën tonë. E kemi vlerësuar maksimalisht Shkumbinin gjatë gjithë këtyre ditëve dhe jemi të etur për të marrë fitore. Skënderbeu nuk dorëzohet kollaj dhe ne kemi besim se deri në fund të superligës do të mund të

Federohen egjiptianët, pritet Stojanoviçi

Dy egjiptianëve të Skënderbeut u kanë mbërritur kartonët në federatë, ndërkohë që të dy janë të gatshëm për të luajtur ndaj Shkumbinit që nga minuta e parë. Ndërkohë që akoma nuk mund të themi asnjë gjë për sulmuesin serb Sasha Stojanoviç, i cili të paktën edhe dje nuk ka mundur të dërgojë kartonin në federatë.

Pritet një boshnjak dhe mbyllet merkatoja

Sot paradite pritet të mbërrijë edhe lojtari i fundit i merkatos te Skënderbeu dhe më pas gjithçka do të quhet e mbyllur për sa u përket të ardhurve te ky ekip. Në fakt, nuk bëhet i ditur emri i këtij lojtari, që mësohet se luan si sulmues dhe në merkaton e fillimit të kampionatit ka qenë pjesë e Flamurtarit.

Sot mbërrijnë uniformat e reja në Korçë

Po sot do të mbërrijnë edhe uniformat e reja për Skënderbeun, ku duhet thënë se ka qenë vetë presidenti Agim Zeqo që ka lajmëruar drejtuesit se këto uniforma do të jenë qysh ditën e sotme në dorë të futbollistëve. Sipas vetë presidencës kuqebardhë, këto uniforma do të jenë me stemën e “Super-Sportit”.

Magani: Nuk ka nevojë t’i motivoj lojtarët

Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, e pranon se edhe futbollistët e kanë marrë seriozisht
Vijojnë intensivisht përgatitjet e Flamurtarit në kuadër të ndeshjes së ditës së shtunë përballë Kastriotit në Vlorë, një ndeshje e quajtur shumë e rëndësishme për ekipin vlonjat, por në të njëjtin kontekst mbetet kjo përballje edhe për ekipin kundërshtar. Vetë trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, ka pranuar se gjatë këtyre ditëve është kërkuar nga futbollistët që impenjimin maksimal ta japin në stërvitje, por natyrisht diçka e tillë duhet të shfaqet edhe ditën e shtunë, në ndeshjen përballë Kastriotit në Vlorë.
“Mendoj se edhe futbollistët janë të ndërgjegjshëm që ndeshja e së shtunës në Vlorë përbën mjaft rëndësi. Janë në lojë për Flamurtarin tri pikë shumë të rëndësishme, të cilat natyrisht do të na afrojnë edhe më shumë me ekipet e tjera, mes të cilave ndodhet edhe ekipi i Kastriotit.
Kemi shansin që këtë përballje e luajmë në shtëpinë tonë dhe kjo ndoshta përbën për Flamurtarin një favor më shumë, por nuk duhet ta mendojmë kështu, përkundrazi, kjo ndeshje është shumë e vështirë, ndoshta më e rëndësishmja e luajtur në këtë periudhë për Flamurtarin. Ekipi, në ndryshim nga pjesa e parë e kampionatit, ka tashmë një ekip krejt ndryshe dhe këtë e kemi treguar edhe lojën që kemi zhvilluar gjatë kësaj periudhe, si në Vlorë, ashtu edhe jashtë saj.
Objektivi i Flamurtarit tashmë dihet nga të gjithë, që mbetet qëndrimi në kategorinë superiore dhe për këtë fakt jemi të gjithë të gatshëm për të dhënë më të mirën e mundshme. Janë edhe 12 takime, duke përfshirë edhe ndeshjen me Kastriotin, ndeshje që për Flamurtarin janë të gjitha finale.
Faza e tretë e kampionatit do të jetë shumë e rëndësishme. Nuk e kam menduar ndonjëherë se do të na duhet të luajmë në “play-out” për të shpëtuar. Flamurtari duhet të shpëtojë pa pasur nevojë për ndeshje shtesë dhe mendoj se do t’ia arrijmë, por natyrisht duhet të japin 100% të mundësive tona në çdo ndeshje. Të shtunën do të luajmë përballë Kastriotit dhe mendoj se kemi mundësi të arrijmë fitoren, pavarësisht se do të jetë e vështirë, por për ekipin vlonjat nuk ka rrugë tjetër, veç tri pikëve,” ka përfunduar trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani.

A.Sekseni: Ta tregojmë veten edhe në transfertë

Mbrojtësi i Shkumbinit, Ardi Sekseni, këtë sezon luan për ngjyrat bardhekaltër sëbashku me vëllain e tij më të vogël Isidorin, që shënoi golin tripikësh ndaj Tiranës. Të dy vëllezërit fundjavën e kaluar kanë dhënë një kontribut të madh në atë fitore të çmuar ndaj kryeqytetasve. Për Seksenin e madh, që po kalon një moment dhe formë të mirë fitorja e fundit ishte e merituar si ato të mëparshmet ndaj Dinamos, Vllaznisë apo Flamurtarit.
“Në fushën tonë jemi mjaft të fortë dhe me këtë forcë të grupit tonë, edhe pse për një pjesë të mirë të kohës së lojës me një lojtar më pak mposhtëm edhe Tiranën,” - thotë mbrojtësi i krahut të majtë, Ardi Sekseni, që pasi ka kaluar një dëmtim, që nga ndeshja me Laçin është aktivizuar nga minuta e parë. Për të, mbrojtja është reparti më i konsoliduar i Shkumbinit, edhe si rrjedhojë e ardhjes në merkaton e dimrit të kosovarit Krasniqi dhe boshnjakut Feruzoviç.
“Mendoj se jemi konsoliduar plotësisht me përforcimet e ardhura në merkaton e dimrit. Tashmë ne duhet të kërkojmë të fitojmë edhe në transferta. Tentuam ta bënim një gjë të tillë edhe në Laç, por gjyqtari na ndëshkoi me një penallti të paqenë. Jam optimist dhe besoj se do të fitojmë në Korçë, ku ka për të qenë e vështirë, por jo e pamundur marrja e tripikëshit,” - përfundoi mbrojtësi 28-vjeçar i Shkumbinit, Ardi Sekseni.