04 shkurt 2010

Guardiola të vendosë ndërmjet Fabregas dhe Ribery

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka marrë të gjitha përgjegjësitë sa i përket transferimit të lojtarëve të rinj për sezonin e ardhshëm, punë që deri më tani e ka bërë drejtori sportiv, Txiki Begiristain.
Marca njofton se trajneri më i mirë në botë për sezonin e kaluar duhet të vendosë se cilin lojtar do ta transferojë në afatin kalimtar veror, mesfushorin e Arsenalit, Cesc Fabregas apo atë të Bayern Munichut, Franck Ribery.
Guardiolas më shumë do t’i konvenonte Ribery, mirëpo bavarezët refuzojnë ta shesin yllin francez, madje nëse e lejojnë largimin e tij, do të jetë për një shumë të majme parash, 60-80 milionë euro.
Fabregas është objektivi tjetër. Sipas spekulimeve, spanjolli tashmë i ka thënë PO kalimit te Barca, por do të varet nga shifra që do ta kërkojë Arsenali, që po ashtu është e lartë, 40-45 milionë euro.
Çmimet e larta të tyre ia kufizojnë mundësitë Guardiolas që t’i transferojë të dytë, prandaj ai duhet të vendosë për njërin.