19 shkurt 2010

FLASIN ISH-TRAJNERËT E KOMBËTARES

Bajko: Rast i mirë për diçka pozitive

Ish-trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Neptun Bajko, e ka përcjellë me emocion hedhjen e shortit përmes televizionit. Si çdo shqiptar, edhe ai, duke pritur ndonjë grup të lehtë, edhe pse këtë “komoditetin” e fundit nuk ta krijon kollaj futbolli i sotëm. Megjithatë, verdikti i goglave që përziheshin aty në Varshavë, konsiderohet i mirë për Shqipërinë nga Bajko. Ndaj, duhen lënë mënjanë fjalët dhe duhet nisur nga puna, për të mbajtur premtimet. “Grupi ynë kualifikues ka në përbërjen e tij ekipe të njohura për ne, me të cilat jemi ndeshur. Mendoj se ky grup përmbush edhe dëshirat e drejtuesve, qoftë ata të FSHF-së, por edhe të trajnerit Kuzhe. Gjithashtu, plotëson kërkesat objektive që kanë shpalosur zyrtarët përgjegjës për kombëtaren në 4-5 muajt e fundit. Duke besuar edhe te fjalët e tyre, them se shqiptarët kanë të drejtë të shpresojnë edhe te kualifikimi. Nëse jemi të detyruar ta diferencojmë Francën, si kryeskuadrën e grupit tonë, që zë vend në elitën e futbollit europian e botëror, me yje në gjirin e saj, me një futboll të shpejtë e mjaft cilësor teknikisht, me kundërshtarët e tjerë mund të matemi denjësisht. madje, personalisht kam mendimin se edhe me Francën, po të dimë t’i përshtatemi me karakteristikat e lojës sonë, mund të përfitojmë diçka. Me ekipet e tjera mund dhe duhet të pretendojmë shumë herë më tepër. Këto eliminatore janë rasti më i mirë që ekipi kombëtar, siç ka thënë Kuzhe, jo vetëm të ëndërrojë për t’u kualifikuar, por edhe të besojë e shpresojë. Ndaj Rumanisë, Bjellorusisë dhe Bosnje Hercegovinës kemi shanse reale për të marrë pikë, por që ta bëjmë këtë, duhet të jemi të përgatitur, të kemi atë nivel të duhur për t’u matur me to. Luksemburgu besoj se barazvlerësohet me 6 pikë të fituara nga të gjithë pjesëmarrësit e grupit tonë, kështu që as Shqipëria nuk duhet të mendojë ndryshe. Vërtet kombëtarja ka rastin më të mirë që të bëjë diçka pozitive këtë herë. Nuk duhet të ketë hezitime, ose ngecje në mes të rrugës, që të justifikohen rezultatet e dobëta. Grupi ynë kualifikues, por edhe paratë e shpenzuara për ekipin kombëtar, duhet të na bëjnë optimistë. Duka dhe Kuzhe mund të arrijnë atë që kërkohet prej 15 vitesh, duke kaluar nga fjalët e bukura te rezultatet konkrete. Ndryshe, le të ëndërrojmë me sytë hapur. Natyrisht, që të arrihen objektiva madhorë, siç është kualifikimi i Shqipërisë në finalet e një Europiani, apo Botërori, cilësia e përgatitjes, në të gjitha aspektet, shto këtu edhe funksionimin profesionsit të kombëtares, duhet të tejkalojë shpejtësinë e shefave në driblimet që i bëjnë opinionit futbolldasësh shqiptar edicion pas edicioni. Vetëm kështu mund ta realizojmë ëndrrën tonë.”

Birçe: Short i leverdisshëm për Shqipërinë

Bejkush Birçe, ish-trajner i kombëtares dhe specialist i njohur i futbollit shqiptar, e konsideron të leverdisshëm për kuqezinjtë shortin e fazës kualifikues për Euro 2012. Me këtë ka parasysh si përfitimet financiare, që rrjedhin nga shitja e së drejtës televizive, por edhe mundësitë reale për të bërë një hap para në rezultate. E thënë ndryshe, për ta lënë vendin e parafundit në grup, ku Shqipëria qëndron që në kohën e tij, edhe tani, me trajnerë të huaj të mirëpaguar dhe me përkujdesje maksimale nga federata për grumbullime, zbore e premio. “E përcolla shortin përmes televizionit, me shumë interes. Personalisht mendoj se kemi rënë në një grup të leverdisshëm, si në aspektin e përfitimit financiar, por edhe të hapësira reale për të bërë një hap para në klasifikim. Përveç Francës, që është pa asnjë dyshim koka e grupit, me shanset maksimale për t’u renditur e para në fund të kualifikueseve, dallim nga të tjerët bën edhe Rumania. Të dyja këto skuadra kanë futbollistë mjaft cilësorë në gjirin e tyre, që luajnë me klubet më të njohura në Europë. Veç kësaj, kanë edhe traditën e duhur për t’u kualifikuar në finalet e evenimenteve të tilla madhore, si Europian apo Botëror. Janë kundërshtarë mjaft të njohur për ne, sepse me tre prej tyre, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Luksemburgun, jemi ndeshur edhe në kohën e Bariçit. Sidoqoftë, një këshillë kisha për të gjithë njerëzit që menaxhojnë futbollin shqiptar, në përgjithësi, dhe kombëtaren, në veçanti: Së pari, duhet të matemi me hapin tonë! Ka shumë vite që vetëm rrotullohemi rreth fjalëve të kota e të bukura, por që asnjëherë nuk u bënë realitet. Të gjithë trajnerët e huaj na kanë premtuar kualifikim, por në fund ka kanë dhuruar zhgënjim, të përhershmin vend të parafundit në grup. Ndaj, le t’i lëmë fjalët e tepërta dhe të ulim kokën e të punojmë, jo vetëm me kombëtaren, por që në futbollin e moshave. Nuk mund të ketë kombëtare të madhe, pa pasur kombëtare të moshave, që stërviten dhe menaxhohen profesionalisht, që nuk pësojnë nga një thes me gola në çdo aktivitet. Ne ende nuk e dimë se cili është ekipi ynë kombëtar, pas një edicioni të pakënaqshëm, si ai i Botërorit 2010, ku pritshmëritë nga premtimet e drejtuesve ishin të mëdha. Nga sa kam njohje unë mbi lojtarët, mendoj se duhet të punojmë për kualifikueset e Botërorit 2014, sepse për Europianin e radhës nuk kemi gjë në vijë. Nuk duhet t’ia bëjmë kot së koti qejfin vetes. Futbolli shqiptar është shumë larg atij europian, si në infrastrukturë, edhe në nivel kampionati kombëtar. Ndaj, shteti dhe FSHF-ja duhet t’i vënë shpatullat futbollit, të ndërtojnë themelet e tij, ndryshe s’mund të kemi as kombëtare”